Më 23 nëntor 1999, vetëm pesë muaj pas përfundimit të luftës, presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton, vizitoi Kosovën, në një moment simbolik për vendin që sapo kishte dalë nga konflikti.

Clinton qëndroi në Prishtinë dhe Ferizaj, ku u takua me drejtuesit politikë të Kosovës, Ibrahim Rugovën dhe Hashim Thaçin, si dhe me ushtarët amerikanë të dislokuar në kampin Bondsteel.

Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës ishte fjalimi i tij në Ferizaj, përpara nxënësve, përfaqësuesve të organizatave dhe drejtuesve të komunitetit. Në mesazhin e tij, Clinton foli për dhimbjen e luftës, padrejtësitë e përjetuara dhe nevojën për të ndërtuar paqen.

“Ju nuk mund ta harroni kurrë padrejtësinë që ju është bërë. Askush nuk mund t’ju detyrojë të falni atë që ju është bërë. Por ju duhet të përpiqeni”, u shpreh ai.

Në atë vizitë, presidenti amerikan përcolli edhe një mesazh që do të mbetej ndër më të njohurit për Kosovën: “Ne e fituam luftën, por dëgjoni: vetëm ju mund ta fitoni paqen”.

Clinton nënvizoi se sfida e Kosovës pas luftës ishte ndërtimi i një të ardhmeje përmes arsimit, rindërtimit, zhvillimit dhe bashkëjetesës.

I shoqëruar nga sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ai vizitoi Kosovën në një kohë kur prania dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara konsideroheshin vendimtare për stabilitetin dhe rimëkëmbjen e vendit.

27 vjet më pas, vizita e Clintonit dhe mesazhet e tij mbeten pjesë e historisë dhe kujtesës së Kosovës, si një prej momenteve simbolike të periudhës së pasluftës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb