Aktakuzë ndaj dy personave për kultivim kanabisi, të tretit për ndihmë në asgjësimin e bimëve narkotike
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve me inicialet I.M., dhe M.M., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, ndërsa ndaj K.S. për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy të pandehurit, I.M. dhe M.M., akuzohen se në bashkëkryerje kanë kultivuar kanabis në një shtëpi me qira në Prizren, me qëllim të prodhimit të narkotikëve.
Sipas aktakuzës, I.M. ka financuar këtë veprimtari duke blerë pajisjet dhe materialet e nevojshme, ndërsa M.M. është marrë me instalimin e pajisjeve dhe kultivimin e bimëve.
Gjatë një kontrolli të kryer më 2 prill 2026, në shtëpi është zbuluar një laborator për kultivimin e kanabisit, ku janë gjetur pajisje të ndryshme për ndriçim, ngrohje dhe ventilim, preparate për rritjen e bimëve, si dhe gjithsej 706 vazo për kultivimin e tyre. Prej tyre, 450 janë gjetur brenda shtëpisë, ndërsa 256 në një veturë të parkuar në oborr. Mostrat e sekuestruara kanë rezultuar pozitive për kanabis.
Po ashtu, në një deponi në Prizren janë gjetur mbetje të djegura të bimëve narkotike, të cilat dyshohet se M.M. kishte tentuar t’i asgjësonte.
Përveç kultivimit të kanabisit, të dy akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Në shtëpinë e I.M. janë gjetur 27 fishekë, ndërsa në atë të M.M. një pistoletë e konvertuar në armë zjarri, një karikator i zbrazët dhe dy fishekë.
Ndërkaq, i pandehuri K.S. akuzohet se më 31 mars dhe 1 prill 2026 e ka ndihmuar M.M. në bartjen e bimëve narkotike nga shtëpia drejt deponisë, me automjetin e tij, me qëllim të asgjësimit të tyre.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.















