E ardhmja e Ernest Muçit te Trabzonspori është kthyer në një nga temat kryesore të merkatos, pas interesimit të raportuar nga Roma për futbollistin e Kombëtares shqiptare.
Presidenti i Trabzonsporit, Ertugrul Dogan, ka deklaruar se në klub kanë mbërritur oferta zyrtare për tre futbollistë, por nuk ka zbuluar emrat e tyre. Sipas raportimeve të mediave turke Muçi dyshohet të jetë njëri prej lojtarëve për të cilët kanë mbërritur ofertat. Megjithatë, presidenti nuk e ka konfirmuar konkretisht emrin e shqiptarit.
Roma dërgon vëzhgues për Muçin
Interesimi i Romës është bërë edhe më konkret pas raportimeve se klubi italian ka dërguar vëzhgues në ndeshjen Trabzonspor–Eyüpspor për të ndjekur nga afër paraqitjen e Muçit.
Ndërkohë, mediat raportojnë se Trabzonspori kërkon rreth 22 milionë euro për kartonin e futbollistit shqiptar, ndërsa drejtuesit turq nuk dëshirojnë ta humbasin atë gjatë merkatos së janarit.
Trabzonspor pas 12 javësh kampionat ndodhet në vendin e dytë me 3 pikë më pak se Galatasaray kryesues dhe nuk do të heq dorë kaq thjeshtë nga Muçi. Shqiptari është një element kyç i formacionit dhe turqit e përjashtojnë mundësinë për t’u dobësuar në janar. I vetmi përjashtim është nëse Roma ‘hap thesin’ për Muçin, por që duket e vështirë.










Komente
Komento