E hënë, 23 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Moska kërcënon Kievin pas sulmit ndaj anijeve ruse në Libi: Do të ketë pasoja tepër të dhimbshme

Moska ka paralajmëruar Ukrainën për pasoja të rënda pas sulmit me dronë ndaj dy anijeve ruse në portin e Bengazit, në Libi, ku sipas Kievit u fundos korveta ushtarake “Merkury” dhe u godit një anije mallrash që transportonte armatime.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi të hënën se veprimet e Ukrainës nuk do të mbeten pa përgjigje.

“Këto veprime do të kenë pasoja jashtëzakonisht të dhimbshme për regjimin e Kievit”, u shpreh Peskov, duke iu referuar edhe deklaratave të mëparshme të presidentit rus Vladimir Putin për vijimin e operacioneve ushtarake.

Ai nuk dha detaje mbi kundërpërgjigjen e mundshme të Moskës, duke theksuar se një qëndrim më i plotë do të publikohet nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

Reklamë

Sulmi ukrainas në Bengazi

Paralajmërimi rus vjen pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili konfirmoi se forcat ukrainase kishin realizuar një operacion me shtatë mjete detare pa pilot kundër objektivave ruse në Libi.

Sipas Kievit, gjatë operacionit u fundos korveta “Merkury”, së bashku me një helikopter ushtarak Ka-27 që ndodhej në bord. Gjithashtu, u godit anija e mallrave MV Angara, e cila dyshohet se përdorej për transportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake.

Korveta ndodhej e ankoruar në bazën detare të Bengazit në momentin e sulmit. Imazhet satelitore të publikuara pas incidentit tregojnë anijen të përmbysur në port.

Sulme edhe në Detin Baltik

Sulmi në Libi ndodhi një ditë pas një tjetër incidenti me dronë ndaj një anijeje mallrash ruse në Gjirin e Finlandës. Anija, e cila po udhëtonte drejt Kaliningradit, u godit nga dronë dhe në bord shpërtheu një zjarr.

Dy operacionet e njëpasnjëshme, në Detin Baltik dhe në Mesdhe, tregojnë zgjerimin e sulmeve ukrainase ndaj objektivave detare ruse, edhe në zona larg territorit të Ukrainës.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.