Përballja mes Agit Kabayel dhe Nelson Hysës po merr gjithnjë e më shumë ngjyrat e një dueli të zjarrtë. Më 28 nëntor, në Düsseldorf të Gjermanisë, dy boksierët e pamposhtur do të përballen në ring në një sfidë të kategorisë së rëndë, me vëmendjen e tifozëve të boksit të përqendruar te përplasja mes kampionit gjerman dhe sfiduesit shqiptar.
Të dy sportistët kanë një bilanc të pastër në karrierën profesioniste. Kabayel numëron 27 fitore dhe asnjë humbje, ndërsa Hysa vjen në këtë përballje me 25 fitore dhe zero humbje. Përveç rekordeve të ngjashme, ata kanë edhe një tjetër të përbashkët: fuqinë e goditjes dhe aftësinë për ta mbyllur një ndeshje me nokaut.
Deklaratat e Nelson Hysës, i cili ka paralajmëruar se do të jetë në qendër të vëmendjes kur të ngjitet në ring në territorin e kundërshtarit, nuk kanë kaluar pa përgjigje nga Kabayel. Kampioni gjerman ka reaguar me tone të ashpra ndaj boksierit shqiptar.
“Ai flet shumë. Thotë plot broçkulla, por kjo është situata”, u shpreh Kabayel, duke shtuar se Hysa ka treguar mungesë respekti me deklaratat e tij.
“Jam gati për gjithçka. Kam taktika të mira dhe po stërvitem shumë fort. Më 28 nëntor, ai do të duhet të luftojë dhe unë do ta vë në provë në ring. Le të shohim nëse di vetëm të flasë apo edhe të luftojë”, deklaroi gjermani.
Kabayel theksoi se synon përballje të mëdha dhe se objektivi i tij pas duelit me Hysën është bashkimi i titujve, një ëndërr që dëshiron ta realizojë në vazhdim të karrierës.
