Ish-shefi i mbrojtjes finlandeze: Evropa “mes paqes dhe luftës” me Rusinë
Pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë po ndihen gjithnjë e më shumë edhe në Gjirin e Finlandës.
Më 21 nëntor, anija ruse e mallrave, Sparta II, e cila raportohej se kishte lidhje me Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe se po lundronte drejt Kaliningradit, u godit nga dronët dhe mori flakë.
Pas sulmit, anija mbeti pa kontroll dhe hyri në ujërat territoriale të Finlandës.
Vetëm pak minuta më vonë, një helikopter rus hyri pa autorizim në hapësirën ajrore të Finlandës, pranë qytetit Lovisa.
Incidentet ngritën shqetësime për synimet e Moskës dhe mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve.
Kryeministri finlandez, Petteri Orpo, tha se pasojat e luftës në Ukrainë po ndihen gjithnjë e më pranë Finlandës.
Megjithatë, deputeti finlandez, Jarmo Lindberg, gjeneral në pension dhe ish-shef i Forcave të Mbrojtjes të Finlandës, thotë se incidentet duhet të analizohen në kontekstin më të gjerë të sigurisë ushtarake në Evropë.
Lindberg, i cili më 13 nëntor u rizgjodh kryetar i bordit drejtues të Qendrës Evropiane të Ekselencës për Luftimin e Kërcënimeve Hibride, paralajmëron se Evropa tashmë ndodhet në një gjendje të rrezikshme, ku kufiri mes paqes dhe luftës po bëhet gjithnjë e më i paqartë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai flet për rreziqet që sjell kjo situatë për sigurinë evropiane.
Radio Evropa e Lirë: Një anije ruse e mallrave u godit nga dronët dhe hyri në ujërat territoriale të Finlandës, ndërsa një helikopter rus shkeli për pak kohë hapësirën ajrore finlandeze pranë qytetit Lovisa. A mund të na shpjegoni se çfarë ndodhi? Dhe, a mendoni se hyrja e helikopterit ishte një veprim i qëllimshëm, për të testuar aftësitë e Finlandës për mbrojtjen e ujërave territoriale dhe hapësirës së saj ajrore?
Jarmo Lindberg: Në fakt, unë e shoh situatën pak më ndryshe. Është e qartë se Ukraina tani ka aftësi të godasë objektiva më të vogla, madje edhe ato që janë në lëvizje, shumë larg territorit të saj. Pak kohë më parë, ukrainasit goditën një anije luftarake ruse të pajisur me raketa, pranë Finlandës. Kjo është anija e dytë që kanë arritur ta godasin në një distancë kaq të largët nga Ukraina.
Këtë herë, objektiv ishte anija e mallrave Sparta II, e cila, sipas informacioneve të disponueshme, po lundronte drejt Kaliningradit. Ajo u godit, me gjasë, nga dy dronë, mori flakë dhe më pas, duke lëvizur pa kontroll, hyri në ujërat territoriale të Finlandës.
Sipas informacioneve që kemi, një helikopter rus hyri për pak kohë në hapësirën ajrore finlandeze. Nuk e di arsyen. Ndoshta rusët donin ta shihnin nga afër gjendjen e anijes. Nuk e dimë as çfarë ngarkese transportonte ajo. Dimë vetëm se anija ka lidhje me Ministrinë ruse të Mbrojtjes.
Radio Evropa e Lirë: Ju e keni përshkruar sulmin ndaj anijes Sparta II si dëshmi se Ukraina tani ka aftësi të godasë objektiva të vogla dhe në lëvizje në Detin Baltik. A do të thotë kjo se rrugët detare të transportit në Gjirin e Finlandës po shndërrohen në një front të ri të luftës?
Jarmo Lindberg: Lufta në këtë rajon është shtrirë tashmë në zonën e terminaleve të naftës – në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës – të cilat Ukraina i ka sulmuar me një numër të madh dronësh gjatë javëve të fundit.
Përveç kësaj, Ukraina ka sulmuar anije të Marinës ruse gjatë gjithë luftës në Detin e Zi dhe e ka goditur disa herë Flotën ruse të Detit të Zi.
Pra, Ukraina ka dëshmuar se është në gjendje të godasë si objektiva detare, përfshirë anijet, ashtu edhe objektiva të palëvizshme, siç janë terminalet e naftës.
Siç e dini, janë goditur disa herë edhe kompani të ndryshme të internetit dhe objektet e tyre të magazinimit. Pra, në njëfarë mënyre, këto fronte të luftës tashmë ekzistojnë.
Por, çfarë ka ndryshuar tani? Ukraina ka treguar se është në gjendje të godasë objektiva të vogla dhe në lëvizje, shumë larg territorit të saj, në rajonin e Baltikut, përkatësisht në Gjirin e Finlandës.
Kjo është risia kryesore dhe dëshmon një aftësi të re ushtarake që ukrainasit tashmë e kanë.
Synimet e Moskës dhe dilema e Evropës për luftën hibride
Radio Evropa e Lirë: Anije finlandeze, estoneze dhe ruse bashkëpunuan për të siguruar anijen e dëmtuar Sparta II. Por, përse një helikopter rus hyri në hapësirën ajrore të Finlandës? A po përpiqej, thjesht, ta vëzhgonte gjendjen e anijes, apo Moska po i dërgonte mesazh Helsinkit, me synimin që Finlanda t’i bënte presion Kievit për t’i ndalur sulmet ndaj objektivave ruse në Baltik?
Jarmo Lindberg: Jo, mendoj se ky ishte kryesisht një reagim ndaj incidentit. Rusët ndoshta donin të kontrollonin gjendjen e anijes që kishte hyrë në ujërat territoriale të Finlandës. E bënë këtë dhe më pas u larguan.
Prandaj, është e vështirë të thuhet se bëhej fjalë për një provokim të planifikuar. Më shumë duket si një reagim ndaj asaj që i ndodhi anijes.
Ky është vlerësimi im, bazuar në informacionet nga burimet e hapura që kam.
Radio Evropa e Lirë: Ju jeni rizgjedhur së voni kryetar i bordit drejtues të Qendrës Evropiane të Ekselencës për Luftimin e Kërcënimeve Hibride. Ndërsa aktivitetet ruse po përshkallëzohen – nga pengimi i sinjaleve GPS dhe dëmtimi i kabllove nënujore deri tek aktet e sabotimit me eksploziv – ku qëndron kufiri mes një sulmi hibrid dhe një akti agresioni që mund të aktivizojë Nenin 5 të NATO-s për mbrojtjen kolektive?
Jarmo Lindberg: Siç e përmendët, kanë ndodhur disa incidente dhe një nga çështjet kryesore është përcaktimi i përgjegjësisë: kush qëndron pas tyre?
Ne e dimë se pengimi i sinjaleve GPS vjen nga Rusia. E dimë, gjithashtu, se Rusia e ka përdorur migracionin si mjet presioni, duke i shtyrë migrantët të kalojnë kufirin drejt Finlandës. Në këto raste, është e lehtë të përcaktohet përgjegjësia.
Por, ka edhe raste kur veprimet kryhen përmes ndërmjetësve dhe atëherë sfida është të zbulohet se kush qëndron, në fakt, pas tyre.
Sa i përket sulmit të fundit ndaj fabrikës së dronëve në Estoni, autoritetet estoneze reaguan shumë shpejt, duke ia atribuuar përgjegjësinë Rusisë dhe shërbimit të saj të inteligjencës ushtarake, GRU.
Ato thanë se Rusia duhet të përballet me pasoja për veprime të tilla dhe paralajmëruan mbylljen e kufirit lindor të Estonisë.
Ndërkohë, kufiri i Finlandës me Rusinë ka qenë i mbyllur tash e tre vjet. Prandaj, mbyllja e kufirit nuk është domosdoshmërisht masa me të cilën Estonia synon t’i përgjigjet këtij sulmi.
Kemi pasur edhe rastin e dronëve në Lajpcih, si dhe incidente të tjera që po i afrohen një kufiri shumë të rrezikshëm, ku përdorimi i eksplozivëve mund të shkaktojë dëme materiale apo edhe viktima në njerëz.
Megjithatë, nuk më takon mua të përcaktoj saktësisht se ku është vija e kuqe.
U takon shteteve dhe qeverive të tyre, e nëse është e nevojshme edhe Bashkimit Evropian dhe NATO-s, të vendosin nëse një veprim kaq serioz e kalon kufirin dhe përbën akt lufte.
Mbetet të shihet se si do të vlerësohen rastet e tilla.
Radio Evropa e Lirë: Duke parë anijen Sparta II që mori flakë pranë brigjeve të Finlandës dhe avionët rusë që testojnë hapësirën ajrore finlandeze, a mund të thuhet se Evropa tashmë është në luftë me Rusinë, edhe pse kjo nuk është shpallur zyrtarisht?
Jarmo Lindberg: Kjo çështje është diskutuar që disa muaj. Qëndrimi ka qenë se nuk jemi në luftë, por as në paqe nuk jemi më.
Pra, ndodhemi diku mes paqes dhe luftës. Lufta, sipas përkufizimit, duhet të shpallet zyrtarisht dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Prandaj, jemi në një situatë të ndërmjetme, në atë që quhet “zonë gri”, ku kufiri mes paqes dhe luftës është i paqartë.
Rusia shton praninë ushtarake në kufi me Finlandën
Radio Evropa e Lirë: Ju keni paralajmëruar se Rusia mund të pozicionojë një prani ushtarake përgjatë kufirit me Finlandën, edhe më të madhe se ajo që kishte para luftës në Ukrainë. Sa kanë përparuar këto përgatitje dhe sa kohë ka Finlanda për t’u përgatitur për rikthimin e forcave ruse në Distriktin Ushtarak të Leningradit?
Jarmo Lindberg: Rusia ka përqendruar pjesën më të madhe të forcave të saj në Ukrainë, ndërsa bazat e mëdha ushtarake në lindje të Finlandës kanë mbetur të zbrazëta. Forcat që ndodheshin atje, u dërguan në Ukrainë që në fillim të luftës.
Ndërkohë, Rusia ka riaktivizuar Distriktin Ushtarak të Leningradit dhe ka krijuar një strukturë ushtarake më të madhe se ajo që kishte më parë. Brigadat janë shndërruar në divizione dhe është shtuar edhe një korpus ushtarak, për të mundësuar vendosjen e një numri më të madh forcash në lindje të Finlandës, sesa para luftës.
Tani, pyetja është nëse në të ardhmen e afërt do të shohim ndërtimin e objekteve të reja ushtarake në lindje të Finlandës, që do të mundësonin vendosjen e këtyre formacioneve më të mëdha. Kjo mbetet të shihet, por përgatitje të tilla kërkojnë kohë.
Për Evropën dhe Finlandën do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme të arrihej një armëpushim dhe, më pas, një paqe e qëndrueshme.
Por, vendet që kufizohen me Rusinë do të shtrojnë pyetjen: Ku do t’i dislokojë Rusia forcat e saj më pas?
Mendoj se është e arsyeshme të pritet që të paktën një pjesë e njësive ushtarake ruse të kthehen në bazat prej nga janë nisur për në Ukrainë. Kjo nuk është e vështirë të parashikohet.
Pra, ekziston mundësia që një ditë këto forca të kthehen. A do të ndodhë kjo pas dy, tre apo pesë vjetësh? Është e vështirë të përcaktohet saktësisht në këtë fazë.
Mund të duhen disa vite, por mendoj se ka shumë gjasa që forcat ruse të kthehen në bazat e tyre të mëparshme./rel




