Konferenca e Kryetarëve në Kuvend do të diskutojë nesër në orën 08:30 kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat parlamentar mbi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026, të publikuar më 4 nëntor 2026. Në kërkesë opozita citon gjetjet kryesore të raportit dhe kërkon debat mbi problematikat e konstatuara.
PD thekson në dokument problemet lidhur me funksionimin e institucioneve demokratike: polarizimin e thellë politik, kontrollin e kufizuar parlamentar mbi ekzekutivin, nevojën urgjente për reformë zgjedhore dhe moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas raportit (SED(2026) 690), funksionimi i institucioneve demokratike është pjesërisht në pikëpyetje për shkak të mjedisit politik të polarizuar, mungesës së debatit të kuptimtë për programin qeveritar në shtator 2025 dhe paraqitjeve të parregullta të ministrave në seancat e pyetjeve.
Dokumenti përmban gjetje se kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore u refuzuan sistematikisht pa debat dhe se, pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeteje, çka ngre shqetësime për kontrollin dhe balancën ndërmjet pushteteve dhe barazinë para ligjit. Shumica vazhdoi të kundërshtojë dhe të vonojë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Projektligjet që paraqiten në momentin e fundit nga deputetët e shumicës dëmtojnë cilësinë dhe transparencën e procesit legjislativ, duke anashkaluar konsultimin publik.
Raporti evidenton politizimin e emërimeve në institucione, përfshirë Avokatin e Popullit dhe Komisionerin, dhe mungesën e konsensusit ndërmjet partive. Komisioni për Integrimin Evropian nuk drejtohet më nga opozita, çka kufizon dialogun ndër-partiak. Komisioni parlamentar për Reformën Administrative dhe Territoriale përfundoi mandatin në korrik 2026 pa konsensus; reforma u miratua në tetor 2026 mbi propozimin e shumicës, me pasoja për vetëqeverisjen vendore.
Raporti i përfundimtar i OSBE/ODIHR-it konfirmoi se zgjedhjet e majit 2025 ishin konkurruese dhe profesionalisht të administruara, por zhvilluar në një mjedis të polarizuar dhe pa kushte të barabarta. Përmendet se disa rekomandime të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias mbeten të pazgjidhura dhe kërkohet një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore para zgjedhjeve vendore 2027. Duke u bazuar në këto gjetje, opozita kërkon mocion për debat parlamentar sipas nenit 98, pika 1 të Rregullores së Kuvendit.
