Kryesore

Salianji sulmon Ramën dhe Berishën: Janë një dyshe horror, pa largimin e kryetarit të PD-së nuk mund të rrëzohet kryeministri

15:28 - 23.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka bërë deklarata të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Sali Berisha, duke i cilësuar si një “dyshe horror” që, sipas tij, po bëjnë gjithçka për të ruajtur pushtetin dhe për të eliminuar çdo figurë që mund t’u rrezikojë pozitat.

Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë”, në News24 Salianji u shpreh se nuk ka ngjashmëri mes zhvillimeve brenda Partisë Demokratike dhe atyre në Partinë Socialiste, por theksoi se të dyja partitë vuajnë nga problemet e lidershipit. Sipas tij, ndërsa në PS gara zhvillohet për t’iu afruar sa më shumë Edi Ramës dhe për të përfituar pushtet, në PD problemi lidhet me mungesën e ndryshimit të drejtimit politik.

Salianji kërkoi largimin e Sali Berishës nga drejtimi i PD-së, duke argumentuar se pa një ndryshim në krye të opozitës nuk mund të arrihet largimi i Edi Ramës nga pushteti.

“Pa u larguar Sali Berisha, nuk mund ta mundin Edi Ramën. Nuk largohet Rama përmes Facebook-ut”, deklaroi ai.

Ish-deputeti akuzoi Berishën se ka larguar nga PD-ja figurat më të votuara, ashtu siç, sipas tij, Rama ka eliminuar brenda PS-së njerëzit që kishin kredibilitet politik. Ai e cilësoi këtë situatë si një degradim të të dyja partive, duke shtuar se qytetarët kanë nevojë për një alternativë të re politike.

Duke folur për marrëdhënien mes dy liderëve, Salianji u shpreh se Rama dhe Berisha janë një binom që mban peng politikën shqiptare.

“Nuk ka asnjë dyshim që dyshja Rama-Berisha kanë një frikë të madhe. Janë një dyshe horror. Imagjinoni se çfarë u kanë bërë këta të dy qytetarëve”, u shpreh Salianji.

Ai komentoi edhe protestat qytetare, duke i cilësuar si një ngjarje të paprecedentë, ndërsa theksoi se pakënaqësia ndaj të dy liderëve është rritur. Sipas tij, ekziston një mënyrë që Edi Rama të largohet më shpejt nga pushteti: Sali Berisha duhet të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë një opozite të re.

Në të kundërt, Salianji paralajmëroi se mund të ndodhë largimi i të dyve, duke përmendur si shembuj zhvillimet politike në Serbi, Rumani dhe Bullgari.

“Do të bëj çdo gjë për të rrëzuar sistemin e vjetër Rama-Berisha”, deklaroi ish-deputeti, duke shtuar se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kundërshtuar atë që e cilëson si kapje të Partisë Demokratike.

Në fund, Salianji u shpreh se do të angazhohet për fitoren e opozitës në zgjedhjet e ardhshme lokale, pavarësisht bindjes së tij se Edi Rama duhet të largohet nga pushteti përpara zhvillimit të tyre. Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mundësinë e fitores së PD-së me të njëjtin ekip politik që ka pasur prej vitesh, duke theksuar nevojën për ndryshim dhe një alternativë që të fitojë besimin e qytetarëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.