Pagesat bankare në Shqipëri do të mund të kryhen brenda pak sekondash, në çdo orë të ditës dhe gjatë gjithë javës.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë prezantoi sistemin e ri të pagesave të menjëhershme IPSA, i cili synon të lehtësojë transfertat bankare, të ulë kostot dhe të nxisë përdorimin e pagesave elektronike.
“Pagesat e menjëhershme në euro dhe në lekë do të kryhen brenda vendit, shtatë ditë të javës, 24 orë në ditë, ditën dhe natën. Me implementimin e këtij sistemi të pagesave të menjëhershme, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kursejnë mbi 400 milionë euro, siç është parashikuar nga një studim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore”.
“Me implementimin e këtij sistemi, Shqipëria përfshihet në sistemet moderne të pagesave të Bashkimit Europian, siç është sistemi SEPA, si dhe në sistemin e ri të pagesave të menjëhershme, të cilin po e prezantojmë sot.
Unë dua të falënderoj Bankën e Italisë, e cila na ka ndihmuar në implementimin e këtij sistemi, Bankën Botërore, që na ka siguruar asistencë teknike, por edhe stafin e Bankës së Shqipërisë, që ka punuar me përkushtim deri në prezantimin e sotëm të sistemit të pagesave të menjëhershme.
Dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se, me implementimin e këtij sistemi të pagesave të menjëhershme, ne jemi në përputhshmëri të plotë me sistemet moderne të pagesave që aplikon sot Bashkimi Europian”.










