Prokuroria zvicerane ka kërkuar dënime të rënda me burg për dy shtetas shqiptarë, të akuzuar për transportimin e 25 kilogramëve kokainë drejt Italisë, përmes territorit të Zvicrës.
Sipas mediave zvicerane, dy shqiptarët, përkatësisht 31 dhe 32 vjeç, u arrestuan në prill të vitit 2025 në pikën kufitare të Chiassos, ku gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin u zbulua sasia e konsiderueshme e drogës.
Hetimet kanë zbuluar se dy të pandehurit dyshohet se kishin kryer katër udhëtime mes nëntorit 2024 dhe 16 prillit 2025, duke transportuar kokainë nga Belgjika drejt Milanos. Zvicra shërbente si territor tranzit për këtë aktivitet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Gjatë procesit gjyqësor, njëri prej të akuzuarve ka pranuar se kishte transportuar drogën, por është përpjekur të justifikojë veprimet e tij duke pretenduar se nuk e dinte sasinë e lëndës narkotike që ndodhej në automjet.
Prokurori Luca Losa ka kërkuar 15 vite burg për njërin prej shqiptarëve dhe 12 vite për tjetrin. Gjithashtu, për të dy është kërkuar edhe dëbimi nga Zvicra për një periudhë 10-vjeçare.
Rasti konsiderohet pjesë e një aktiviteti të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës, me një itinerar që lidhte Belgjikën me Italinë, përmes territorit zviceran. Vendimi përfundimtar do të merret nga gjykata.













