Reshjet e dendura të shiut, të shoqëruara me erë të fortë dhe stuhi, kanë shkaktuar dëme në disa zona të Bashkisë Tropojë. Rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe dëmtime të infrastrukturës rrugore janë evidentuar në disa njësi administrative, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Probleme janë raportuar edhe në banesa, ku era dhe stuhia kanë dëmtuar çatitë e dy shtëpive në fshatin Leniq dhe në lagjen Partizani të Bajram Currit.
Njoftimi i plotë
Informacion përmbledhës i raportuar nga Përgjegjësi i EC-së bashkia Tropojë mbi dëmet e shkaktuara nga kushtet e motit në territorin e Bashkisë Tropojë. Si pasojë e reshjeve të shiut, erës dhe stuhive të shoqëruara me kushte të pafavorshme atmosferike, në territorin e Bashkisë Tropojë janë konstatuar dëmtime në infrastrukturën rrugore, rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh, si dhe dëmtime në banesa.
Konkretisht, situata e raportuar paraqitet si më poshtë:
Njësia Administrative Cërrnicë: Në segmentin rrugor poshtë fshatit Cërrnicë është konstatuar rrëshqitje e dheut poshtë trupit të rrugës, duke krijuar deformim dhe fryrje të shtratit të saj.
Segmenti rrugor Bujan–Fierzë: Janë konstatuar rënie gurësh dhe inertesh në trupin e rrugës, veçanërisht në segmentin që kalon në fshatin Gri, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Territori i Njësive Administrative të Bashkisë Tropojë: Janë evidentuar gërryerje të trupit të rrugëve dhe rënie gurësh në disa segmente rrugore, të cilat aktualisht raportohen të kalueshme.
Njësia Administrative Bujan: Si pasojë e reshjeve është dëmtuar një segment rrugor në fshatin Bujan, lagjja Vidricë.
Njësia Administrative Bujan: Në lagjen Varg është raportuar dëmtim i rrugës si pasojë e reshjeve të shiut.
Fshati Tetaj: Është konstatuar rrëshqitje dheu, si pasojë e së cilës rruga është veshtiresuat qarkullimi i mjeteve.
Njësia Administrative Bytyç, fshati Leniq: Banesa e shtetasit Sadri Mehmet Gjedia ka pësuar dëmtime nga era e fortë dhe stuhia gjatë natës. Për evidentimin e plotë të dëmeve është ngritur grup pune për verifikimin në terren.
Qyteti Bajram Curri, Lagjja Partizani: Banesa e shtetasit Rexhep Muçaj ka pësuar dëmtime në çati si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike.
Dëmtimet kanë shkaktuar pasoja materiale edhe në banesat e familjeve të tjera që ndodhen në të njëjtën ndërtesë. Ndërsa në njësitë e tjera nuk janë raportuar probleme deri në momentin e marrjes së informacionit.
