Jensen Huang ka marrë sërish drejtimin e kompanisë teknologjike NVIDIA, vetëm 11 ditë pasi u largua nga posti i drejtorit ekzekutiv. Rikthimi i tij vjen pas një periudhe të trazuar, të shoqëruar me pretendime për marrëdhënie jashtëmartesore, mes të cilave edhe një lidhje të dyshuar me një biznesmene që autoritetet amerikane e kanë vënë nën dyshime për spiunazh në favor të Kinës.

Vendimi është njoftuar të hënën nga kompania dhe ka hyrë menjëherë në fuqi. Bordi drejtues ka votuar në favor të rikthimit të Huang si president dhe CEO, duke e përfshirë sërish edhe në përbërjen e tij.

Sipas raportimeve të Reuters, vendimi është marrë pas presionit të vazhdueshëm nga punonjësit, aksionarët dhe partnerët e kompanisë. Në favor të rikthimit të tij ishte shprehur edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili javën e kaluar kishte deklaruar se dëshironte ta shihte sërish Huang në krye të gjigantit teknologjik.

Lajmi ka sjellë reagim të menjëhershëm në tregjet financiare, ku aksionet e NVIDIA-s u rritën me mbi 31% gjatë tregtimit paraprak.

Huang ishte larguar nga detyra më 12 nëntor, pas publikimit të pretendimeve për disa marrëdhënie jashtëmartesore. Mes tyre përmendej edhe një biznesmene, për të cilën autoritetet amerikane dyshojnë se mund të ketë lidhje me shërbimet kineze të inteligjencës. Këto akuza janë mohuar nga Pekini.

Largimi i tij shkaktoi reagime të forta në Silicon Valley, Tajvan dhe Uashington. Një peticion online për rikthimin e Huang arriti të mbledhë më shumë se 180 mijë firma, përfshirë edhe atë të miliarderit Elon Musk.

Nga ana tjetër, bordi i NVIDIA-s bëri të ditur se pas disa diskutimeve me Huang kishte krijuar bindjen se ai mbetet personi i duhur për të drejtuar kompaninë. Pas konsultimeve me zyrtarë të lartë amerikanë, drejtuesit deklaruan gjithashtu se nuk identifikojnë ndonjë kërcënim për sigurinë kombëtare nga rikthimi i tij.

Ndërkohë, Colette Kress do të vijojë të ushtrojë detyrën e drejtoreshës financiare të kompanisë.