Shqiptari që hakoi GTA 6 dënohet me 7 vjet burg, por lirohet menjëherë

Hakeri shqiptar i cili kishte vjedhur 90 video nga loja Grand Theft Auto VI (GTA 6) është dënuar me shtatë vjet burg.
Arion Kurtaj, 21-vjeçar nga Oxfordshire, u dënua nga Gjykata e Woolwich në Londër, por u lirua menjëherë, pasi koha që kishte kaluar në paraburgim iu llogarit në dënim.
Kurtaj, pjesëtar i grupit të njohur të krimit kibernetik Lapsus$, kishte pranuar fajësinë për një seri sulmesh kibernetike ndaj kompanive Rockstar Games, Uber, BT/EE dhe Revolut.
Gjatë shpalljes së vendimit, gjykatësi Turner iu drejtua të riut me një mesazh.
“Ti je padyshim një i ri shumë i talentuar. Mos i shpërdoro këto talente duke kaluar pjesën tjetër të jetës duke hyrë e dalë nga burgu”, deklaroi ai.
Sipas hetimeve, Kurtaj kishte kryer sulmet edhe gjatë kohës kur ndodhej në një hotel nën mbikëqyrje, duke përdorur një telefon, rrjetin Wi-Fi të televizorit dhe një pajisje Fire Stick.
Ai arriti të depërtonte në sistemet e Rockstar Games, ku vodhi kodin burimor dhe pamje nga GTA 6, lojë që në atë kohë ende nuk ishte publikuar.
Hakeri publikoi një pjesë të videove në internet dhe kërcënoi kompaninë se do të publikonte edhe kodin burimor të lojës nëse përfaqësuesit e saj nuk e kontaktonin.
Në dhjetor 2023, Kurtaj ishte urdhëruar të mbahej për një periudhë të pacaktuar në një institucion spitalor, pasi ekspertët kishin vlerësuar se nuk ishte në gjendje të përballej me procesin gjyqësor. Megjithatë, një vlerësim i ri në vitin 2025 konstatoi se ai ishte i aftë të merrte pjesë në gjykim.
Ndërkohë, GTA 6 u lansua javën e kaluar, 13 vjet pas lojës së mëparshme të serisë, duke shënuar shitje rekord prej rreth 3.8 miliardë dollarësh në ditën e parë.
Hetimet ndaj Kurtajt u zhvilluan nga Policia e Londrës, me mbështetjen e autoriteteve amerikane. /Telegrafi/

































