Aloe vera në lëkurë ose duke e konsumuar. Specialisti i bimëve mjekësore, Ylli Merja, i ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, u ndal te efektet që ka Aloe vera në trupin tonë, por edhe në aspektin estetik. Ai shpjegoi se në botë ekzistojnë 600 lloje aloe vera, ndërsa në studio solli Aloe Barbadensis Miller dhe Aloe Arborescens.

“Laktati i Aloe verës, me ngjyrën e verdhë, është xheli i parë. Ai mund të përdoret, pasi këputet dhe del nga gjethja, dhe mund të vendoset në lëkurë. Në përbërje ai ka aloinën A dhe aloinën B. Barbadensis është shumë veshtullor, i pasur me polisaharide. Në kushte shtëpie, gjethja çahet, merret pjesa e xhelit dhe punohet duke u grirë hollë. Xhelin vendoseni në lëkurë, por nëse konsumohet, është qetësues për sistemin nervor. Ka vitaminë B1 dhe B12, si dhe vitaminë C. Aloe vera ka edhe kalium, i cili ndihmon shumë në jashtëqitje. Të tria fitokimikatet hyjnë në organizëm, nxitin zorrën të krijojë lëngje, e bëjnë atë më të lëvizshme, duke ju ndihmuar të luftoni kapsllëkun”, thekson Merja.

Një përbërje e thjeshtë që mund ta realizoni në shtëpi

Gjethja grihet në një frulator. Një lugë gjelle nga xheli hidhet në një gotë me ujë, së cilës i shtohet edhe një lugë çaji mjaltë. Kjo është një pije energjike që ushqen sistemin nervor, por edhe bakteret e mira në zorrë, duke i bërë ato të çlirojnë lëngje. Nëse, pasi e keni konsumuar këtë pije, ndjeni një zhurmë të lehtë në zorrë, lëngu ka filluar të japë efekt.

Por si mund të ruhet gjatë xheli natyral i aloe verës?

Nëse pulpës së aloe verës i shtoni pak raki, pak rozmarinë ose gjethe borziloku, atëherë ajo ruhet në frigorifer deri në 6 muaj. Jetëgjatësia e saj do të rritet nëse pasterizohet. Pra, duhet të kullohet dhe të merret vetëm xheli veshtullor. E pasterizuar, mund të ruhet deri në 2 vite.

5 përdorimet kryesore të Aloe verës

Nëse pickoheni nga grerëza dhe bleta, vendosni xhel aloe vera dhe tre fije bari. Kjo jep efektin e parë frenues dhe gjithçka neutralizohet.

Nëse digjeni nga dielli, lyeni trupin me një gjethe.

Nëse digjeni nga uji ose lëngjet e nxehta, zonën e djegur fillimisht lajeni me ujë të ftohtë dhe më pas vendosni direkt aloe vera, e më pas kremin e diellit.

Për puçrra dhe akne, lyeni fytyrën me xhel aloe vera. Ndihmon edhe në hidratimin e lëkurës.

Për hidratim, si dhe kundër rrudhave, bëni në shtëpi një maskë me aloe vera. Merrni një garzë ose fashë, lageni me aloe vera dhe vendoseni në lëkurë.

Aloe vera dhe balta e bregdetit, e njohur ndryshe si bentonit, përdoren për të krijuar një maskë për lëkurën e acaruar.

Çaj për të luftuar qelizat kancerogjene, ja si ta përgatisni në shtëpi

Rradhiqet, çaji jeshil dhe pelina e ëmbël përgatiten në një enë si çaj, duke i zier me ujë. Më pas, hidhini një lugë aloe vera dhe një lugë mjaltë!