Politikë

Veliaj shkarkon pas 11 vitesh drejtuesen e kopshteve, dikur e quante “drejtoresha jonë fantastike”/ Si u largua Zhaneta Beqiri pas takimit me Demon dhe Koçiun!

Zhaneta Beqiri, e cila prej 11 vitesh ka drejtuar çerdhet dhe kopshtet në Tiranë, duket se është viktima më e re e përplasjes politike ndërmjet kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryeministrit Edi Rama.

Pjesëmarrja e saj në një takim të zhvilluar në ambientet e Partisë Socialiste, ku u prezantuan drejtuesit e rinj politikë për Bashkinë e Tiranës dhe u hap fushata për zgjedhjen e kryetarit të ri, duket se nuk i ka pëlqyer Erion Veliajt, i cili aktualisht e drejton bashkinë nga burgu.

Zhaneta Beqiri është drejtoresha më jetëgjatë në Bashkinë e Tiranës, të cilën edhe vetë kryetari Erion Veliaj e lavdëronte sa herë vizitonte kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit.

“E pilotuam aty bashkë me trajnerët, edukatorët dhe drejtoreshën tonë fantastike atje”, deklaronte dikur Veliaj.

Në një reagim në llogarinë e saj në Facebook, Beqiri thotë se gjatë këtyre viteve ka punuar me angazhim, përgjegjësi e profesionalizëm për të transformuar kulturën institucionale dhe qasjen ndaj shërbimit, në funksion të zhvillimit të plotë të potencialit të fëmijëve.

Gjatë drejtimit të Beqirit, në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës u krijuan mjedise të përshtatshme për fëmijët, si në drejtim të lodrave dhe aktiviteteve të shumta, ashtu edhe të higjienës me standarde të larta. Në fokus ishte gjithashtu ushqyerja e shëndetshme e fëmijëve dhe siguria e produkteve ushqimore.

Edhe për këto arritje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehej krenar.

“Nëse ka një gjë që jam krenar në këto katër vitet e fundit, çerdhet dhe kopshtet e Tiranës jo vetëm janë më të mira se të privatit, por edhe më të mira në rajon e ndoshta në shumë vende të tjera të botës”, deklaronte Veliaj.

Por e gjithë puna zhbëhet në një moment. Tanimë, kryetari Veliaj nuk e shikon më si mbështetëse të tij, por të grupit rival brenda Partisë Socialiste, çka bëri ta shkarkojë menjëherë sapo mori vesh pjesëmarrjen në atë takim që u zhvillua në Partinë Socialiste.

Në mbrojtje të Zhaneta Beqirit ka dalë edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili vlerësoi punën e saj në drejtimin e çerdheve dhe kopshteve publike të kryeqytetit.

“Është drejtoresha e kopshteve dhe çerdheve të këtij qyteti, është në krye të një brendi publik që ka konkurruar sektorin privat të kopshteve dhe çerdheve, një drejtore që drejton një brend publik dhe që e gjen prej mëngjesit në kopshte dhe çerdhe publike”, deklaroi Braçe.

Reagime ka pasur edhe nga vetë prindërit, të cilët, sipas deputetit socialist, e kanë kontaktuar pas lajmit për shkarkimin e Beqirit.

“Një prind më shkruajti që është lajm shumë i keq pushimi nga puna i Zhaneta Beqirit”, tha Braçe.

Deputeti socialist i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë së Tiranës që të tërheqë vendimin.

“Do t’i lutesha kryetarit të bashkisë dhe cilitdo poshtë tij të kthejë pas vendimin”, u shpreh ai.

Nga ana e saj, Zhaneta Beqiri ka falënderuar ekipin e edukatoreve dhe punonjësve të kopshteve e çerdheve, me të cilët gjatë këtyre viteve u kanë shërbyer afro 13 mijë fëmijëve. Reagimi i saj është pasuar nga komente pozitive dhe mbështetëse të shumë prindërve.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.