Video/ Moment i sikletshëm në stadium, DJ harron minutën e heshtjes dhe vendos muzikë gjatë homazhit për futbollistin spanjoll Kampionët e Shqipërisë marrin vëmendjen e UEFA-s në revistën kushtuar Conference League. Nevil Dede, Ildi Gruda dhe Alessandro Albanesse rrëfejnë emocionet e aventurës europiane, objektivat dhe atmosferën brenda skuadrës rrogozhinase.
Egnatia po shkruan një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së saj, duke përjetuar për herë të parë emocionet e pjesëmarrjes në fazën e ligës të një kompeticioni të UEFA-s. Kampionët e Shqipërisë po përfaqësojnë vendin në Conference League, ku pas tri ndeshjeve të para kanë grumbulluar 2 pikë. Me tri sfida të tjera përpara, skuadra rrogozhinase synon të bëjë hapin e radhës dhe të sigurojë vazhdimësinë e aventurës europiane.
Paraqitjet dhe rrugëtimi i viteve të fundit nuk kanë kaluar pa u vënë re as nga UEFA. Revista zyrtare e këtij kompeticioni i ka kushtuar hapësirë Egnatias, duke e përfshirë mes skuadrave interesante që meritojnë vëmendjen e futbollit europian. Në këtë prezantim, protagonistët e klubit kanë rrëfyer përvojën e tyre në këtë aventurë, por edhe elementet që kanë ndërtuar suksesin e ekipit.
Trajneri Nevil Dede e sheh forcën e Egnatias te bashkëpunimi mes të gjitha hallkave të klubit. Për të, suksesi nuk është meritë individuale, por rezultat i një strukture ku të gjithë punojnë me të njëjtin mentalitet.
“Mendoj se asgjë nuk arrihet në mënyrë individuale. Flasim për futboll, për klubin, kontratat e lojtarëve, më pas vjen administrata dhe në fund është hallka e trajnerit. Mendoj se gjithçka funksionon në unison, mendojmë dhe flasim njësoj. Besoj se ky është sekreti më i madh. Me thënë të drejtën, do të veçoja një gjë: jam i privilegjuar që jam këtu dhe krenar që po punoj në këtë klub. Sigurisht, edhe unë kam kontributin tim, ashtu si të gjithë të tjerët që kanë vendosur nga një tullë në sukseset e këtij klubi.
Kur jam prezantuar për herë të parë, në takimin me presidentin dhe drejtorin, kam kuptuar se ky klub është një familje. Kështu e kam përjetuar që në momentet e para dhe deri kur dolëm kampionë. Vazhdoj ta përjetoj në të njëjtën mënyrë, si një familje ku përcillen ndjenja dhe emocione, por mbi të gjitha dashuri dhe respekt. Normalisht që ka ulje-ngritje edhe në humor, si në raportin me presidentin, me drejtorin, ashtu edhe me çunat. Por, në fund, fakti që mendojmë dhe flasim njësoj është suksesi që kemi arritur. Unë jam vetëm një pjesë e tyre. Dua të vazhdojmë të luajmë kështu siç kemi luajtur deri tani. Ne nuk mbyllemi, nuk vendosim autobus përpara portës. Ne udhëtojmë me charter falë klubit dhe kështu duhet të luajmë, me mentalitetin e një skuadre që udhëton me charter”, thekson Dede.
Një nga protagonistët e Egnatias në këtë aventurë është edhe Ildi Gruda. Sulmuesi ka realizuar dy gola në Conference League, një kontribut që merr vlerë të veçantë jo vetëm në aspektin personal, por edhe për përfaqësimin e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Gruda shpreson të vijojë me të njëjtin ritëm edhe në tri ndeshjet e mbetura.
“Për mua personalisht, këta janë gola me një rëndësi të madhe. Është një kompeticion shumë i mirë, ku luhet në nivele të larta dhe shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të arrij të shënoj përsëri, të ndihmoj ekipin dhe të vazhdojmë përpara. Në familjen tonë kanë luajtur të gjithë futboll, duke nisur nga babai, xhaxhai dhe vëllai, e tani edhe unë. Egnatia është një klub i krijuar për të bërë hapa të mëdhenj drejt arenës europiane. Ne po prodhojmë një futboll të bukur dhe besoj se e kemi bërë Shqipërinë sadopak krenare me atë që po tregojmë në fushë. Kemi një grup fantastik, një grup shumë të mirë. Ashtu siç jemi jashtë fushës, këtë frymë përcjellim edhe në fushën e lojës”, shprehet Gruda.
Edhe për Alessandro Albanesse, aventura me Egnatian ka një domethënie të veçantë. Futbollisti e konsideron klubin rrogozhinas si një shtëpi të dytë dhe aktivizimin në kompeticionet europiane me një skuadër shqiptare si realizimin e një ëndrre të fëmijërisë.
“U përshtata shumë shpejt te Egnatia. Ne jemi si një familje dhe këtë e ndjeva që në momentin kur mbërrita. Që në javën e parë e kuptova se këtu jemi si një familje. Prandaj, isha shumë i lumtur që iu bashkova këtij klubi. Kur përmend Egnatian, menjëherë mendoj për Shqipërinë. Siç e dini, aktualisht është skuadra më e mirë në Shqipëri dhe këtë e kemi treguar edhe gjatë tre viteve të fundit. Jam i lumtur që jam këtu. Të luash në UEFA Conference League me një skuadër shqiptare është diçka shumë e mirë për vendin. Por dua të them se, edhe për mua personalisht, kjo është si një ëndërr. Që kur isha fëmijë, ëndërroja të luaja në Europë dhe tani ka ardhur momenti të tregoj vlerat e mia dhe të vazhdoj përpara”, përfundon Albanesse.
Për Egnatian, kjo pjesëmarrje përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në historinë e klubit. Me tri ndeshje ende për t’u luajtur, kampionët e Shqipërisë synojnë të shfrytëzojnë këtë përvojë europiane për të lënë gjurmën e tyre edhe në skenën ndërkombëtare.
Top Channel