Sport

Maresca thumbon futbollin italian: “Jemi qaramanë të mirë”, dhe zbulon të vërtetën për kontaktet me Napolin!

Trajneri i Manchester Cityt mohon kontaktet me De Laurentiis, por pranon se gjatë pranverës ka pasur bisedime me një tjetër klub italian. Përballë Napolit, ai pret një ndeshje të vështirë dhe shpreh kënaqësinë për rikthimin e De Bruyne.

Enzo Maresca ka folur në konferencën për shtyp në prag të përballjes mes Manchester Cityt dhe Napolit në Champions League, duke komentuar jo vetëm sfidën, por edhe të ardhmen e tij, futbollin italian dhe marrëdhënien me ish-lojtarin e tij, Kevin De Bruyne.

Trajneri i Citizens ka mohuar kategorikisht që të ketë pasur kontakte me Napolin apo presidentin Aurelio De Laurentiis, ndërsa ka zbuluar se gjatë muajve mars, prill dhe maj ka komunikuar me një tjetër klub italian.

“A mund të isha bërë trajner i Napolit? Në mars, prill dhe maj, pati kontakte me një ekip italian, por jo me Napolin. Nuk kam folur kurrë me Presidentin De Laurentiis dhe nuk kam folur kurrë me askënd nga Napoli.”

I pyetur për mundësinë e një rikthimi në Itali në të ardhmen, Maresca nuk e ka përjashtuar këtë opsion, por ka shprehur pakënaqësinë për ritmin e ndryshimeve në futbollin italian.

“Një e ardhme në Itali? Nuk i dihet kurrë, por jam i lumtur këtu. Ka shumë ndryshime për t’u bërë në futbollin italian; duhet të jemi pak më të guximshëm. Italia është një vend i lidhur me të vjetrën në gjithçka, jo vetëm në futboll. Duhet guxim, përndryshe do të mbetesh prapa të tjerëve. Nuk mendoj se Italisë i mungon zhvillimi i të rinjve. Dhe nëse do të ishte kështu, do të ishte sepse nuk punojnë mirë me lojtarët e rinj. Sa herë që mungon një Kupë Bote ose diçka tjetër, njerëzit thonë se është koha për një ndryshim”.

Një deklaratë që tërhoqi vëmendjen ishte edhe ajo për Massimiliano Allegrin dhe reagimet në futbollin italian. Maresca nuk i kurseu thumbimet, duke u shprehur: “Në Itali, ne jemi mjaft të mirë në të qarë.”

Sa i përket ndeshjes, trajneri i Manchester Cityt pret një përballje të vështirë, pavarësisht se skuadra e tij vjen pas katër ndeshjeve radhazi pa fitore.

“Absolutisht nuk e besoj, sepse është një ndeshje e rëndësishme e Ligës së Kampionëve, që vlen tre pikë si për ne ashtu edhe për ata. Vijmë nga katër ndeshje radhazi pa fitore dhe kjo është për të ardhur keq. Nesër duhet të vazhdojmë rrugën tonë. Pres një Napoli të fortë, siç e pashë kundër Torinos, Lazios dhe në raste të tjera. Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë.”

Në fund, Maresca foli edhe për Kevin De Bruyne, me të cilin do të takohet sërish në këtë përballje, këtë herë si kundërshtar. Trajneri italian nuk i kurseu vlerësimet për mesfushorin belg, duke kujtuar periudhën e tyre të përbashkët te Manchester City.

“Kam kujtime të shkëlqyera, ai është një lojtar i nivelit të lartë, një lojtar i jashtëzakonshëm, një nga më të rëndësishmit këtu te City. Jemi të lumtur ta shohim përsëri, do të jetë i mirëpritur, ishte një kënaqësi të punonim me të. KDB është një djalë spektakolar, ai dëshiron të bëjë mirë dhe dëshiron të punojë. Nëse është i lumtur edhe jashtë futbollit, ai do të jetë një ndihmë e madhe për Napolin.”

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.