Boshti i kokainës Itali-BE/ Kërkohen 15 dhe 12 vjet burg për dy shqiptarët e kapur me 25 kg drogë

Boshti i kokainës Itali-BE/ Kërkohen 15 dhe 12 vjet burg për dy shqiptarët e kapur me 25 kg drogë

15:24, 23/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Nis sot në Lugano gjyqi për ngarkesën me vlerë mbi 2 milionë euro të fshehur në tapicerinë e makinës që vinte nga territori italian. Prokurori rrëzon alibinë e të pandehurve: "Kishin bërë edhe tre udhëtime të tjera".

Ndërkohë, policia italiane godet sot një tjetër bazë shpërndarjeje në Bolzano. Korridori rrugor që lidh Italinë me Zvicrën dhe Evropën Qendrore mbetet në qendër të hetimeve të prokurorive evropiane kundër rrjeteve të narkotrafikut. Ka nisur sot përpara Gjykatës Penale të Luganos procesi gjyqësor ndaj dy shtetasve shqiptarë, 31 dhe 32 vjeç, të kapur më 16 prill 2025 në pikën kufitare italo-zvicerane të Chiassos (pak kilometra larg Milanos) me rreth 25 kilogramë kokainë të pastër të fshehur me kujdes nën tapicerinë e një automjeti.

Gjatë seancës së sotme, prokurori publik Luca Losa kërkoi dënime të ashpra: 15 vjet burg për 31-vjeçarin që drejtonte makinën me drogë dhe 12 vjet burg për bashkëpunëtorin 32-vjeçar që udhëtonte me një automjet të dytë në rolin e "pararojës" (shoferit sinjalizues), si dhe dëbimin e të dyve nga Zvicra për 10 vjet pas vuajtjes së dënimit. Të dy akuzohen për shkelje të rëndë të ligjit federal për narkotikët, pastrim parash dhe hyrje të paligjshme në territorin zviceran.

Sipas aktakuzës, droga e ngarkuar në territorin italian dhe e destinuar për tregjet e Evropës Veriore, me një vlerë tregu prej mbi 2 milionë frangash zvicerane, nuk ishte rasti i parë. Hetuesit, përmes analizimit të tabulatave telefonike dhe kamerave të sigurisë përgjatë autostradave, kanë rindërtuar plot katër udhëtime të kryera nga dyshja mes nëntorit 2024 dhe prillit 2025 me të njëjtin itinerar dhe të njëjtën metodë.

Në sallën e gjyqit, të dy të pandehurit (të mbrojtur nga avokatët Marco Masoni dhe Davide Fagetti) u përpoqën të zbusnin pozitat e tyre duke e quajtur praninë e tyre në të njëjtat rrugë një "rastësi". 31-vjeçari deklaroi se ishte treguar shumë naiv dhe se kishte pranuar ta bënte transportin për 5.000 euro, duke menduar se në makinë kishte maksimumi 5 kilogramë drogë, ndërsa 32-vjeçari pranoi se e dinte që po transportohej drogë, por jo sasinë e saktë. Një version që prokurori Losa e hodhi poshtë me ironi: Cila organizatë kriminale është kaq diletante sa t'i besojë 25 kilogramë kokainë një të panjohuri që nuk di asgjë?

Ndërsa në Lugano jepet pretenca për korrierët e kufirit, presioni i forcave të rendit vijon pa ndërprerje edhe brenda territorit italian. Pikërisht sot, Seksioni Antidrogë i Policisë së Bolzanos në veri të Italisë njoftoi arrestimin në flagrancë të një tjetër shtetasi shqiptar, të cilit iu sekuestruan rreth 2 kilogramë lëndë narkotike dhe 13 mijë euro para cash.

I riu u ndalua në rrugën "Verona" pasi efektivët vunë re lëvizje të dyshimta. Gjatë kontrollit, ai shfaqi shenja të forta nervozizmi dhe u përpoq t'i shpëtonte policisë duke pretenduar se kishte ardhur në Bolzano "për turizëm me bashkëshorten dhe vajzën", por kontrolli i imtësishëm në automjet dhe në banesën e tij zbuloi sasinë e kokainës dhe paratë e gatshme. Një tjetër arrestim u regjistrua sot edhe në Lugano ndaj një 20-vjeçari rezident në Shqipëri, i kapur në një apartament me doza kokaine dhe para të gatshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco