Konjufca takon kryediplomatin grek, kërkon njohjen e Kosovës nga Greqia
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar në Athinë ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis, me të cilin ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.
Konjufca, përmes një postimi, ka thënë se e ka vlerësuar përkrahjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke shprehur synimin që bashkëpunimi të thellohet përmes dialogut më të rregullt politik dhe lidhjeve më të fuqishme ekonomike.
Ai ka theksuar se njohja e Kosovës nga Greqia do të përbënte një hap të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për fqinjësinë e mirë në rajon.
“Njohja e Republikës së Kosovës nga Greqia do të ishte një hap me peshë për marrëdhëniet tona dhe për fqinjësinë e mirë në rajon. Këtë bindje e ndava me ministrin Gerapetritis”, ka shkruar Konjufca.
Kryediplomati kosovar ka bërë të ditur se në takim e ka ftuar homologun grek që bisedimet e ardhshme t’i vazhdojnë në Kosovë.















