Arion Kurtaj, hakeri që depërtoi në sistemet e Rockstar Games dhe vodhi 90 video nga loja e shumëpritur GTA 6, është dënuar me shtatë vite burg në Britaninë e Madhe. Megjithatë, 21-vjeçari është larguar nga gjykata i lirë, pasi kishte vuajtur tashmë pjesën më të madhe të dënimit në paraburgim.
Kurtaj u paraqit të hënën në Gjykatën e Woolwich në Londër, ku mori dënimin për një seri sulmesh kibernetike ndaj kompanive të njohura, mes tyre Rockstar Games, Uber, BT/EE dhe Revolut. Ai kishte pranuar fajësinë për veprat penale të lidhura me këto sulme.
I riu ishte pjesë e grupit të njohur të krimit kibernetik Lapsus$, i cili qëndron pas disa sulmeve ndaj kompanive ndërkombëtare. Gjatë sulmit ndaj Rockstar Games, Kurtaj arriti të depërtonte në sistemet e kompanisë dhe të vidhte 90 video nga GTA 6, në kohën kur loja ishte ende në zhvillim.
Ai publikoi pamjet në internet me pseudonimin “TeaPotUberHacker” dhe kërcënoi se do të nxirrte në publik edhe kodin burimor të lojës, nëse kompania nuk i përgjigjej kërkesave të tij.
Gjatë shpalljes së vendimit, gjykatësi Turner e cilësoi Kurtajn si një të ri me aftësi të veçanta, duke e paralajmëruar të mos i përdorë ato për veprimtari kriminale.
“Ti je padyshim një i ri shumë i talentuar. Mos i shpërdoro këto talente duke kaluar pjesën tjetër të jetës duke hyrë e dalë nga burgu”, i tha gjykatësi.
Sipas hetimeve, Kurtaj kishte vijuar aktivitetin e tij kriminal edhe kur ndodhej në një hotel nën mbikëqyrjen e autoriteteve. Ai kishte përdorur një telefon, rrjetin Wi-Fi të televizorit dhe një pajisje Fire Stick për të kryer sulmet.
Në dhjetor të vitit 2023, ai ishte urdhëruar të qëndronte për një periudhë të pacaktuar në një institucion spitalor të sigurisë së lartë, pasi ishte vlerësuar se nuk ishte në gjendje të përballej me procesin gjyqësor. Më vonë, pas një rivlerësimi, u konsiderua i aftë për t’u gjykuar dhe në janar 2026 u transferua në një burg të zakonshëm.
Gjatë qëndrimit në burg, Kurtaj kreu edhe një tjetër shkelje, pasi në mars të vitit 2026 u kap duke poseduar një telefon celular të palejuar. Për këtë episod ai gjithashtu pranoi fajësinë.
Ndërkohë, GTA 6 u publikua më 19 nëntor, pas 13 vitesh nga loja paraardhëse. Sipas kompanisë mëmë të Rockstar Games, Take-Two Interactive, loja gjeneroi 3.79 miliardë dollarë në shitje globale që ditën e parë, duke vendosur një rekord të ri për lançimin e një produkti argëtues.

