Vrasja e Liridona Ademit, Apeli lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Naim Murselin
Gjykata e Apelit e Kosovës la në fuqi dënimet me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe dënimin me 30 vjet burgim ndaj Kushtrim Kokallës, për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.
Vendimi i marrë më 23 nëntor vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 21 prillit 2026, me të cilin të tre të akuzuarit u shpallën fajtorë.
Gjykata e Apelit vlerësoi se aktgjykimi i Gjykatës Themelore nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se vendimi është i qartë, i kuptueshëm dhe në përputhje me arsyetimin e dhënë nga shkalla e parë.
Kolegji i Gjykatës së Apelit përbëhej nga gjyqtarët: Mentor Hajra, kryetar, Xhevdet Abazi, gjyqtar raportues, dhe Arben Hoti, anëtar.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në një rast që fillimisht ishte paraqitur si grabitje, por që, sipas gjetjeve të Gjykatës Themelore, ishte planifikuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Si u planifikua vrasja e Liridona Ademajt?
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Murseli organizoi vrasjen e bashkëshortes së tij, për shkak të marrëdhënieve të përkeqësuara martesore dhe dëshirës për hakmarrje.
Gjykata konstatoi se ai synonte edhe të përfitonte financiarisht nga një policë e sigurimit të jetës në emër të viktimës, në vlerë prej tre milionë kronash suedeze.
Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla e planifikuan së bashku vrasjen, ndërsa Murseli i premtoi Plavës 30 mijë euro për ta kryer atë.
Kokalla kishte ndërmjetësuar njohjen mes Murselit dhe Plavës, i cili, sipas Prokurorisë, e kreu vrasjen.
Prokuroria pretendoi, gjithashtu, se Murseli e kishte siguruar armën e përdorur në vrasje duke e blerë për 280 euro nga Tom Dodaj.
Dodaj, i cili kishte pranuar fajësinë për shitjen e armës, ishte dënuar fillimisht me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Në dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Apelit ia uli dënimin në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.
Aktakuza u ngrit më 15 janar 2025, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli aktgjykimin më 21 prill 2026.
Vrasjet e grave që tronditën Kosovën dhe nxitën protesta
Rasti i Liridona Ademajt, nënë e dy fëmijëve të mitur, është një ndër vrasjet e grave që kanë nxitur protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale në Kosovë.
Vetëm gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026, në Kosovë u vranë tetë gra, kryesisht nga bashkëshortët, partnerët ose familjarët e tyre, sipas të dhënave të siguruara nga Radio Evropa e Lirë.
Vrasja e fundit e regjistruar në këtë periudhë ishte ajo e Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës.
Zekaj, nënë e një djali të mitur, dyshohet se u vra nga kunati i saj, pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi, e shoqëruar nga policia.
Zekaj kishte raportuar vazhdimisht dhunë në familje.
Vetëm tri ditë para vrasjes, ajo i ishte ankuar kryeprokurores së Pejës për mënyrën se si institucionet po e trajtonin rastin e saj, duke paralajmëruar se jeta i rrezikohej.
Vrasja nxiti protesta në Prishtinë, ku u kërkua drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi nga institucionet që kishin trajtuar denoncimet e saj.
Rasti nxiti edhe reagimin e Kuvendit të Kosovës, i cili themeloi një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar përgjegjësinë e mundshme institucionale në këtë rast, si dhe mënyrën se si institucionet trajtojnë dhunën ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Çdo dhjetë minuta, një grua vritet nga partneri ose familjari
Vrasjet e grave nuk janë problem vetëm i Kosovës, por një dukuri shqetësuese në mbarë botën.
Sipas raportit më të fundit të UN Ëomen dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), gjatë vitit 2024, rreth 50 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose anëtarët e familjes.
Kjo do të thotë se mesatarisht 137 gra dhe vajza humbën jetën çdo ditë, apo një në çdo dhjetë minuta.
Nga gjithsej 83 mijë gra dhe vajza të vrara qëllimisht gjatë atij viti, rreth 60 për qind u vranë nga persona të afërt.
Për krahasim, te viktimat burra, vetëm 11 për qind e vrasjeve u kryen nga partnerët ose anëtarët e familjes.
Çfarë i shtyn burrat t’i vrasin gratë?
Sipas studiuesve që kanë analizuar rastet e vrasjeve të grave nga partnerët e tyre, pas këtyre krimeve shpesh qëndrojnë dëshira për kontroll, xhelozia, konfliktet në marrëdhënie dhe mospranimi i ndarjes apo refuzimit.
Martin Hernan Di Marco, profesor në Universitetin Leiden të Holandës, ka shpjeguar më herët për Radion Evropa e Lirë se disa autorë e shohin dhunën si mënyrë për të rivendosur autoritetin ose për t’u hakmarrë ndaj asaj që e perceptojnë si padrejtësi.
Hulumtimet tregojnë se rreziku i vrasjes rritet veçanërisht kur ka histori dhune, kërcënime për vrasje, qasje në armë dhe përpjekje të gruas për t’u larguar nga një partner kontrollues.
Sipas profesoreshës në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, Jacquelyn Campbell, rreth 70 për qind e burrave që vrasin partneret e tyre kanë ushtruar dhunë ndaj tyre edhe më parë, ndonëse jo gjithmonë kjo dhunë është raportuar në polici.
Ekspertët theksojnë se nuk ekziston një profil i vetëm i autorëve, por njohja e këtyre shenjave mund t’i ndihmojë institucionet që t’i identifikojnë gratë që përballen me rrezik të lartë./REL




