Mëngjesin e të martës, më 17 nëntor, gjykata e Reimsit në Francë u vendos nën masa të rrepta sigurie të ERIS (ekipeve rajonale të ndërhyrjes dhe sigurisë), një njësi elitare e administratës së burgjeve franceze duke shoqërëruar për gjykim Edison Pulën.
Edison Pula pretendohet që është një nga anëtarët e grupit të “Durim Bamit” të Niklës, i akuzuar për kryerjen e rreth 50 vjedhjeve, i cili dëshmon detaje të reja gjatë gjykimit.

Pula pretendon se po mbahet prej kohësh në kushte të rënda sigurie në Francë, ndërsa kërkon azil, duke ngritur shqetësime për trajtimin e tij në kushte mizerable. Gjithashtu ky lloj izolimi ka ndikuar negativisht në shëndetin e tij.

Përmes një kërkese për azil drejtuar autoriteteve franceze, Pula kërkon të mos kthehet në Shqipëri, duke argumentuar se ndaj tij është zhvilluar një proces penal me shkelje të rënda procedurale dhe se ekziston rreziku që të mos ketë një gjykim të drejtë, sipas Infinity News.

Në dëshminë e tij, ai i referohet fillimisht vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, të datës 22 shkurt 2018, me të cilin ishte shpallur i pafajshëm për disa nga akuzat më të rënda, përfshirë vrasjen me paramendim të mbetur në tentativë, armëmbajtjen pa leje dhe shkatërrimin e pronës me eksploziv.

Sipas Pulës, gjykata e shkallës së parë kishte argumentuar se nuk kishte prova shkencore, përgjime telefonike apo dëshmi që të vërtetonin përfshirjen e tij në këto vepra penale.

Megjithatë, më 22 tetor 2018, Gjykata e Apelit Tiranë e përmbysi vendimin e pafajësisë dhe e dënoi me 14 vite burgim. Në kërkesën e tij për azil, Pula pretendon se ky vendim është marrë pa administrimin e provave të reja dhe pa dëgjuar drejtpërdrejt dëshmitarët.

Ai kundërshton gjithashtu provat e përdorura për akuzën e vjedhjes me dhunë, duke pretenduar se dënimi është mbështetur në deklarimet kontradiktore të një bashkë të pandehuri. Sipas tij, personi i dëmtuar nuk e ka identifikuar asnjëherë si autor të ngjarjes.

Një zhvillim i rëndësishëm në çështjen e tij është vendimi i Gjykatës së Lartë i datës 4 korrik 2024. Me vendimin nr. 00-2024-1208, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë prishi vendimin e dënimit të Gjykatës së Apelit dhe e ktheu çështjen për rigjykim.

Sipas dokumentacionit të paraqitur nga Pula, Gjykata e Lartë konstatoi shkelje procedurale dhe cenim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, duke vënë në dukje se shpallja fajtor pas një vendimi pafajësie kërkonte shqyrtimin e drejtpërdrejtë të provave në seancë gjyqësore.

Ky vendim është një nga argumentet kryesore ku Pula mbështet kërkesën e tij për azil në Francë.

Në dëshminë e tij, ai shprehet se ka shpresë që rigjykimi në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të zhvillohet në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me standardet ligjore. Por, deri në përfundimin e kësaj çështjeje, ai thotë se nuk dëshiron të rrezikojë kthimin në Shqipëri.

Pula pretendon se ka humbur rreth dhjetë vite të jetës së tij në kërkim dhe në qelitë e vendeve të ndryshme të Evropës, duke këmbëngulur se është përballur me akuza për të cilat nuk ka kryer veprat penale.

Kujtojmë se Edison Pula është dënuar më parë në Shqipëri dhe, sipas të dhënave të bëra publike, është arratisur nga burgu, ndërsa është raportuar edhe për një arratisje nga autoritetet italiane.

Tashmë, përmes kërkesës për azil, ai kërkon mbrojtjen e autoriteteve franceze, duke pretenduar se trajtimi në kushtet e izolimit dhe pasiguria për procesin gjyqësor në Shqipëri e vendosin atë në një situatë të vështirë.

Mbetet për t’u parë se si do të vlerësohet kërkesa e tij nga autoritetet franceze.