Dy shtetas shqiptarë rrezikojnë gjithsej 27 vite burg në Zvicër, pasi u kapën duke transportuar 25 kilogramë kokainë të fshehur në automjet. Prokuroria ka kërkuar 15 vite burg për 31-vjeçarin dhe 12 vite për bashkëpunëtorin e tij 32-vjeçar, si dhe dëbimin e të dyve nga territori zviceran për 10 vite, pas përfundimit të dënimit.
Procesi gjyqësor ka nisur në Lugano, ndërsa dy të pandehurit u arrestuan në prill të vitit 2025, në pikën kufitare të Chiassos. Sipas hetimeve, kokaina ishte fshehur në tapicerinë e makinës dhe kishte një vlerë në treg që tejkalonte 2 milionë franga zvicerane. Dyshohet se droga ishte ngarkuar në Itali dhe kishte si destinacion tregjet e Evropës Veriore.
Sipas prokurorisë, dy shqiptarët kishin role të ndara në transportin e lëndës narkotike. 31-vjeçari drejtonte automjetin ku ishte fshehur kokaina, ndërsa 32-vjeçari udhëtonte përpara tij me një makinë tjetër, për të kontrolluar rrugën dhe për ta sinjalizuar në rast rreziku.
Hetimet kanë nxjerrë në pah dyshime për një aktivitet më të gjerë se transporti i prillit 2025. Pas analizimit të komunikimeve telefonike dhe pamjeve të kamerave të sigurisë përgjatë autostradave, autoritetet kanë identifikuar katër udhëtime të dyshuara të kryera nga dy personat në periudhën nëntor 2024 – prill 2025.
Gjatë seancave gjyqësore, të pandehurit kanë kundërshtuar se kishin dijeni të plotë për sasinë e drogës që transportonin. 31-vjeçari ka deklaruar se kishte pranuar të kryente transportin kundrejt pagesës prej 5 mijë eurosh, por pretendon se mendonte se në automjet kishte jo më shumë se 5 kilogramë lëndë narkotike.
Ndërsa 32-vjeçari ka pranuar se e dinte që po transportohej drogë, por ka mohuar të kishte dijeni për sasinë e saj.
Prokurori Luca Losa ka kundërshtuar versionet e të pandehurve, duke vënë në dyshim mundësinë që një organizatë kriminale t’ua besonte një ngarkesë me vlerë mbi 2 milionë franga persona që nuk e dinin përmbajtjen e saj.
Dy shqiptarët akuzohen për shkelje të rëndë të ligjit federal për narkotikët, pastrim parash dhe hyrje të paligjshme në territorin zviceran. Vendimi përfundimtar pritet të përcaktojë përgjegjësinë penale dhe masën e dënimit për secilin prej tyre.

