Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë plotësisht dhe në mënyrë të pavarur koncesionin e Aeroportit të Vlorës. Ai kërkon që hetimi të zhvillohet pa vonesa, me profesionalizëm, pa ndikim politik, pa standarde të dyfishta dhe pa kompromise me personat përgjegjës.
Në një deklaratë publike, Bardhi tha se kjo çështje nuk lidhet vetëm me dyshimet për korrupsion. Sipas tij, pretendimet e ngritura prekin zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës, detyrimet kontraktuale të Shqipërisë ndaj Bashkimit Europian dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Ai e cilësoi këtë një regres serioz për rrugën europiane të vendit.
Të lidhura
None found
Bardhi iu rikthye dëshmisë publike që biznesmeni Behgjet Pacolli dha disa muaj më parë. Sipas pretendimeve të Pacollit, fituesi i koncesionit dhe interesat ekonomike ishin diskutuar përpara zhvillimit të garës, ndërsa procedura publike kishte shërbyer vetëm si formalitet.
Në veçanti, Bardhi iu referua pohimeve për takime në zyrën e Belinda Ballukut, ku, sipas Pacollit, ishin diskutuar emrat e përfituesve dhe përqindjet e aksioneve që do t’i takonin secilit. Ai tha se dëshmia ngre dyshime që koncesioni të jetë orientuar politikisht nga kryeministri Edi Rama dhe administruar nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila ka firmosur aktet përkatëse.
Bardhi përmendi edhe pjesën e dëshmisë që lidhet me interesin për të kënaqur partnerin turk në marrëveshje. Sipas pretendimit që ai solli në vëmendje, largimi i mëvonshëm i këtij partneri do t’u hapte rrugë interesave të tjera private dhe korrupsionit të Belinda Ballukut në administrimin e një pasurie strategjike publike.
Për kreun e grupit parlamentar të PD-së, këto pretendime krijojnë dyshimin për një skemë të marrjes nën kontroll të pasurisë publike përmes vendimmarrjes politike dhe interesave private. Ai kërkoi që organet e drejtësisë t’i verifikojnë plotësisht dhe të japin përgjigje të qarta. Bardhi theksoi se dëshmia e Pacollit është bërë publike dhe, sipas informacionit të disponueshëm, është administruar zyrtarisht nga organi i akuzës.
Duke kritikuar mungesën e transparencës dhe zvarritjen e hetimit, Bardhi i kërkoi SPAK-ut të sqarojë në çfarë faze ndodhet çështja, nëse janë kontrolluar të gjitha deklarimet e Pacollit dhe dokumentet që lidhen me to, si dhe nëse po shqyrtohet përgjegjësia e çdo personi të përfshirë në vendimmarrje, përfshirë Ballukun dhe Ramën. Ai kërkoi gjithashtu të dihet se kur mund të dalin përgjegjësit përpara drejtësisë.
Në përfundim, Bardhi tha se pasuritë publike u përkasin qytetarëve shqiptarë, jo kryeministrit, ministrave apo klientelës së tyre politike dhe ekonomike. Sipas tij, integrimi europian nuk mund të mbështetet vetëm te standardet e shkruara, ndërsa pasuria publike administrohet me praktika klienteliste; po ashtu, nuk mund të ketë barazi para ligjit nëse pushteti politik mbetet i pandëshkuar.







