Tre persona janë shoqëruar në Policinë e Fierit në kuadër të hetimeve për atentatin me pasojë vdekjen e Selami Hasanit dhe plagosjen e nipit të tij, Jakup Hasani.

Deri në këto momente, pamjet e kamerave të sigurisë të verifikuara nga grupi hetimor kanë fiksuar vetëm praninë e një automjeti tip “Volvo” në zonën ku ndodhi ngjarja. Bëhet fjalë për të njëjtin mjet që më pas u gjet i djegur në fshatin Dërmenas.

Brenda makinës së djegur janë gjetur edhe dy pistoleta, njëra prej të cilave me silenciator.

Megjithatë, nga pamjet e administruara deri tani nuk janë identifikuar autorët dhe as lëvizjet e tyre para apo pas atentatit.

Ndërkohë, janë zbardhur edhe detaje për gjendjen e të plagosurit, Jakup Hasani, nipi i viktimës. Ai ka marrë tre plumba, dy në bark dhe një në nofull, ndërsa po merr trajtim mjekësor.

Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e ngjarjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb