Muajt e parë pas lindjes së një fëmije shpesh paraqiten si periudha më e bukur e jetës, por realiteti për shumë nëna mund të jetë krejt ndryshe.

Një studim i ri në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se katër nga pesë nëna përjetojnë simptoma të problemeve të shëndetit mendor, të cilat në disa raste ngjajnë me ato të çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD).


Sipas të dhënave të platformës për prindër ChatMum.co.uk, gjysma e tyre e fshehin gjendjen e vërtetë nga frika e paragjykimit.

Foto ilustruese

Anketa, e realizuar me më shumë se 2 mijë prindër, tregon se 96 për qind e të anketuarve kanë përjetuar ndryshime të mëdha në jetën e tyre pas ardhjes në jetë të fëmijës.

Ndërkohë, 58 për qind thonë se ndihen si njerëz krejtësisht të ndryshëm nga periudha para prindërimit.

Vështirësitë nuk prekin vetëm nënat, pasi shtatë nga dhjetë baballarë pranojnë se kanë përjetuar tronditje pas lindjes së fëmijës.

Ekspertët e përshkruajnë këtë përvojë si 'baby shock', një reagim emocional që mund të shfaqet me lodhje të madhe, mpirje emocionale, të qara, ndjenjë shkëputjeje dhe vështirësi për t'u përshtatur me realitetin e ri.

Foto ilustruese

Në disa raste, simptomat mund të jenë më të rënda dhe të përfshijnë mendime shqetësuese, depresion apo edhe përjetime të ngjashme me traumën.

Sipas profesionistëve, lindja mund të shkaktojë reagime të forta psikologjike, veçanërisht kur shoqërohet me dhimbje, frikë për jetën e nënës ose të foshnjës dhe ndjenjë pafuqie.

Edhe pasi lindja përfundon, sistemi nervor mund të mbetet në gjendje alarmi, duke shkaktuar tension të vazhdueshëm, pagjumësi dhe vështirësi në krijimin e lidhjes emocionale me fëmijën.

Një tjetër pasojë e mundshme janë rikthimet e papritura të kujtimeve traumatike, të njohura si “flashbacks”.

Foto ilustruese

Tingujt, aromat apo situata të caktuara mund t'i rikthejnë nënat te përjetimet e lindjes, ndërsa disa prej tyre mund të kenë vështirësi edhe të rikthehen në spitalin ku kanë lindur.

Ekspertët theksojnë se këto vështirësi nuk lidhen domosdoshmërisht vetëm me lindjet e rënda apo traumatike.

Ato mund të shfaqen edhe pas një lindjeje që në dukje ka kaluar normalisht, ndërsa përvojat e mëparshme traumatike dhe mungesa e mbështetjes mund ta përkeqësojnë gjendjen.

Për këtë arsye, profesionistët kërkojnë që vështirësitë emocionale pas lindjes të mos minimizohen dhe nënat të kenë më shumë hapësirë për të folur hapur për atë që po përjetojnë, pa frikën e gjykimit.

Ata theksojnë se ardhja në jetë e një fëmije mund të jetë njëkohësisht një përvojë e bukur dhe një ndryshim jashtëzakonisht sfidues për shëndetin fizik dhe emocional të prindërve. /Telegrafi/