Një investim që ende nuk ka përfunduar dhe që ka kushtuar rreth 3 milionë euro po përballet sërish me pasojat e motit të keq në Durrës. Shëtitorja “Taulantia” është mbuluar nga uji i detit dhe leshterikët për herë të dytë brenda pak ditësh, ndërsa punimet vijojnë të mos kenë përfunduar.
Stuhia e së dielës, më 22 nëntor, solli dallgët deri në pjesën e shëtitores pranë lokaleve, duke lënë pas mbetje detare, baltë dhe ujë në hapësirat që duhet t'u shërbejnë qytetarëve dhe vizitorëve. E njëjta situatë ishte regjistruar edhe më 15 nëntor, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si është parashikuar mbrojtja e këtij investimi nga dallgët.
Problemi nuk lidhet vetëm me përmbytjen e fundit, por edhe me vonesat në realizimin e projektit. Në muajin prill, gjatë një vizite në kantier, kryeministri Edi Rama, kryebashkiakja Emirjana Sako dhe drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, inspektuan punimet. Në atë kohë u bë publik afati që shëtitorja të përfundonte brenda muajit qershor. Ky afat kaloi, ashtu si edhe vera, ndërsa më pas u përmend fundi i nëntorit si një datë e re për përfundimin e punimeve.
Ndërkohë, dallgët nuk kanë pritur as përfundimin e projektit dhe as ceremoninë e përurimit. Edhe gurët e vendosur përgjatë bregut për të frenuar fuqinë e detit nuk kanë arritur të shmangin depërtimin e ujit dhe mbetjeve detare në shëtitore.
Në vitin 2022, Bashkia e Durrësit kishte bërë me dije se po studiohej ndërtimi i një muri mbrojtës kundër dallgëve. Sot, pas përsëritjes së situatës, lind pyetja se çfarë zgjidhjeje teknike është parashikuar për ta mbrojtur këtë hapësirë nga fenomenet që janë të zakonshme për një qytet bregdetar.
Të hënën, punonjësit e ndërmarrjes së shërbimeve komunale kanë nisur sërish pastrimin e zonës nga leshterikët dhe mbetjet e sjella nga deti. Pra, përpara se të presë shiritin e inaugurimit, ky investim duhet të përballet me një problem që është shfaqur dy herë pa u vënë ende në përdorim të plotë.
Mbetet për t'u parë nëse afati i ri do të respektohet dhe, mbi të gjitha, nëse shëtitorja do të jetë e përgatitur për të përballuar dallgët, apo pas çdo stuhie do të kërkohet sërish ndërhyrja e punonjësve për pastrimin e saj.