Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi dënimet me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe dënimin me 30 vjet burgim ndaj Kushtrim Kokallës, për vrasjen e Liridona Ademajt, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2023. Plava ishte shpallur fajtor edhe për veprën penale të mbajtjes, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Gjykata e Apelit vlerësoi se aktgjykimi i Gjykatës Themelore nuk përmban shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe se vendimi është i qartë, i kuptueshëm dhe në përputhje me arsyetimin e dhënë nga shkalla e parë. Apeli ka mbështetur edhe vlerësimin e shkallës së parë lidhur me lartësinë e dënimeve, duke theksuar se janë marrë parasysh rrethanat rënduese në përputhje me dispozitat e Kodit Penal. Si rrethana rënduese janë veçuar motivi i kryerjes së veprës për Naim Murselin, përfshirë qëllimin e përfitimit material, si dhe mënyra e kryerjes së vrasjes nga Naim Murseli dhe Granit Plava, në praninë e dy fëmijëve të viktimës. Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në një rast që fillimisht u paraqit si grabitje, por që, sipas provave u vërtetua se ishte planifikuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.