Avokati i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka pretenduar se nuk është lejuar të hyjë në ambientet e Burgut të Fierit, për të takuar klientin e tij i cili ndodhet në paraburgim.

Nga ambientet e Burgut të Fierit, Ndreca në një lidhje për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, tha se kishte një orë e gjysmë duke pritur për t’u takuar me Veliajn, para seancës gjyqësore të ditës së nesërme, por nuk po lejohej nga autoritetet e institucionit.

Ndreca tha se Burgu i Fierit e argumentonte vendimin për të mos e lënë të hynte brenda, duke argumentuar se nuk kishin forca policie dhe njerëz për ta shoqëruar. Argumentin e Burgut, Ndreca pretendoi se e mori përmes bisedës telefonike dhe jo me shkrim.

“Në fakt u bë një orë e gjysmë që jam këtu duke pritur për të takuar klientin. Nuk po lejohem dhe vazhdon akoma e njëjta histori që ‘nuk kemi forca policore dhe njerëz për të shoqëruar’. Argumentin ma dhanë me telefon, jo me shkrim. Ndërkohë që ligji parashikon se hyrja e avokatit ndodh në çdo kohë. Vazhdon paligjshmëria e veprimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kufizimi i takimeve edhe me avokatin. Unë nesër kam një seancë gjyqësore dhe duhet të takohesha patjetër me klientin. 1 orë e gjysmë në pritje siç e shihni dhe nuk lejohem. Asnjë bazë ligjore, asnjë përgjigje zyrtare. Kërkoj të mbajnë procesverbal për këtë fakt. As procesverbal nuk japin", tha mes të tjerash Ndreca.

Duke e cilësuar situatën skandaloze, Ndreca tha se ky është një cenim i rëndë i standardeve të mbrojtjes dhe i të drejtës të të paraburgosurve, në shkelje të standardeve europiane.

"Një situatë skandaloze dhe një situatë që nuk e meriton shteti shqiptar që të shkojë në këto nivele që s’kanë asnjë përputhje e asnjë lidhje me asocimin dhe standardet europiane. Kjo është një situatë e paprecedentë. Një cenim i rëndë i standardeve të mbrojtjes dhe cenim i rëndë i të drejtës së klientit tim, për çdo të paraburgosur, apo i çdo personi nën hetim apo në cilësinë e të pandehurit, për t’u takuar në çdo kohë me avokatin e tij. Pra unë nuk kam asnjë mundësi të konsultohem dhe të flas me klientin për seancën e nesërme, duke dëmtuar edhe strategjinë që ne kemi për nesër, apo për komunikimin që kemi për një vendim të mundshëm apo potencial që Gjykata nesër mund të japë për zgjedhjen e spitalit nga Veliaj", shtoi Ndreca.

Ai sulmoi edhe kryeministrin Edi Rama, duke thënë se burgu i Fierit është një institucion në varësi të Qeverisë dhe të tij. Ai ripërsëriti se për vendimin, Burgu i Fierit nuk kishte mbajtur procesverbal, por përmes telefonit i kishte argumentuar se duke qenë se sot është ditë pushimi (pasi dje qe ishte e diel, ishte festa e Alfabetit), nuk kishin njerëz mjaftueshëm në punë për ta shoqëruar.

"Këtë situatë unë e konsideroj institucionale. Një sjellje e rëndë e paligjshme institucionale. E një institucioni në varësi të qeverisë, të kryeministrit, i cili ka bërë ato deklarata që ka bërë në Asamblenë Kombëtare dhe të Tiranës. Ja ku është prova që standardet nuk janë ato që thotë Rama. Ja kush është standardi. Avokati në 2026-ën nuk lejohet të hyjë e të takojë klientin e tij. Një e drejtë bazike që besoj se edhe vendet që janë pa asnjë pretendim për të hyrë në Europë, besoj se i respektojnë. Unë po pres edhe pak, jam i detyruar të kthehem në Tiranë. Është konsumuar ky udhëtim dhe unë nuk kam arritur të bëj takimin për të cilin erdha. Përgjigje ka me telefon, por nuk bëjnë një procesverbal”, tha mes të tjerash Ndreca.

Lajm në përditësim...