Nuk iu lejua takimi me Veliajn për shkak të festës zyrtare, Ndreca: Është antikushtetuese!
Plarent Ndreca, avokati i Erion Veliajt, e ka cilësuar antikushtetuese mosdhënien e lejes për të takuar klientin e tij në burgun e Fierit.
Duke folur për mediat para burgut të Fierit, Ndreca tha se nuk është lejuar të takojë klientin e tij, me justifikimin se është ditë pushimi për shkak të festave zyrtare dhe se Drejtoria e Burgjeve nuk ka personel.
“Vazhdon kjo historia që gjejnë arsye të ndryshme sa herë ndodh që duhet të vij në fundjavë apo kur është pushim zyrtar. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligji 81/2020 e lejon të takojë në çdo kohë klientin. Unë kam ardhur ta takoj për një seancë gjyqësore që kemi nesër, por edhe për shkak të operacionit. Nuk u lejova me argumentin e dhënë në telefon se nuk kemi personel. U kërkova të bëjmë një procesverbal, as këtë nuk e japin. Është një situatë antikushtetuese”, tha Ndreca.
I pyetur në lidhje me operacionin e këmbës së Veliajt, Ndreca tha se do të bëhet edhe një vizitë me doktorin e familjes dhe se do të ketë ndërhyrje kirurgjikale nëse ai do ta rekomandojë.



