Zyrtari i LDK-së Bajram Gecaj ka shprehur pakënaqësi ndaj mënyrës se si po drejtohet partia, duke paralajmëruar se qasja e Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit mund ta largojë LDK-në nga identiteti i saj politik.
Në një postim, ai ka komentuar edhe situatën në Degën e LDK-së në Obiliq. Gecaj kundërshton vendimin për të anashkaluar organet e zgjedhura dhe për të emëruar koordinatorë, funksion që, sipas tij, nuk parashikohet në Statutin e partisë.
Të lidhura
None found
Sipas Gecajt, kursi aktual mund ta çojë LDK-në drejt shndërrimit në satelit ose pjesë të LVV-së, drejt shuarjes politike, apo në një parti që ruan vetëm rreth pesë për qind të mbështetjes.
Ai kërkon zbatimin e Statutit dhe hapjen e garës për udhëheqje të re, duke e cilësuar largimin e Abdixhikut dhe Osmanit nga drejtimi si rrugëdalje.
Postimi i plotë:
LDK-ja nuk është LVV …
… që degët t’i trajtojë si “pika” të detyruara të zbatojnë urdhrat e qendrës. Do të ishte mirë të rishikonit historinë e partisë që sot drejtoni. LDK-ja u përball me masa të dhunshme nga një regjim që dispononte njërën prej fuqive më të mëdha ushtarake në Evropën e asaj kohe. Ajo rezistoi, nuk u nënshtrua dhe në fund triumfoi. Edhe sot nuk do të përkulet para urdhrave të askujt.
Qëndrimi i Ibush Mjekiqit, Nënkryetarit statutar të Degës së LDK-së në Obiliq, duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjithë. Ai ka kundërshtuar emërimin e një Koordinatori, pozitë që nuk është e përcaktuar në Statutin e LDK-së. Nëse qendra shpërfill organet e zgjedhura të një dege, mund të veprojë njësoj edhe me degët e tjera. Kjo qasje e shtyn drejt përçarjes dhe shkatërrimit shtëpinë politike të Presidentit Rugova.
Të dashur bashkëpartiakë, drejtimi që kanë zgjedhur Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani e rrezikon LDK-në me disa skenarë: (1) të shndërrohet në satelit të LVV-së; (2) të shkrihet brenda saj; (3) të mbyllet përfundimisht; ose (4) të mbetet parti me rreth pesë për qind të mbështetjes, vetëm për të mbajtur gjallë ambiciet politike të Lumirit dhe Vjosës. Ndërkohë, për të na shpërqendruar, ata flasin për rrezikun që LDK-ja të bëhet satelit i PDK-së.
Duhet ta ngremë zërin në çdo degë, të kërkojmë zbatimin e Statutit dhe të mundësojmë garën për një udhëheqje të re. E ardhmja e LDK-së është në duart e anëtarësisë. Jam plotësisht i bindur se zgjidhja nis me largimin e Lumirit dhe Vjosës nga drejtimi i partisë.







