Një shqiptar i dënuar çdo ditë për trafik droge në Britani, TikTok ‘ushqen’ aktivitetin kriminal të tyre

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 23.11.2026, 18:59

Tridhjetë shtetas shqiptarë, të përfshirë në trafikun e drogës, janë dënuar me burg në Mbretërinë e Bashkuar brenda vetëm një muaji. Ndërkohë, platforma TikTok po vihet në qendër të kritikave, pasi akuzohet se po shërben si një mjet rekrutimi për bandat kriminale dhe po kontribuon në përhapjen e aktivitetit të paligjshëm.

Sipas raportimit të medias britanike The Sun, gjatë muajit shtator, 30 shqiptarë u dënuan me një total prej 126 vitesh burg për vepra penale që lidhen me lëndët narkotike të Klasit A, kategoria më e rëndë e drogërave në legjislacionin britanik.

Në të njëjtën periudhë, edhe 24 shtetas të tjerë shqiptarë dolën përpara gjykatave të magjistratëve, të akuzuar për posedim droge me qëllim shpërndarjen e saj.

Rrjetet sociale janë identifikuar si një nga mjetet kryesore që përdorin grupet kriminale për të rekrutuar persona të rinj.

Në reklamat e publikuara në këto platforma promovohet një stil jetese luksoz, shoqëruar me muzikë rep shqiptare, tufa parash, makina luksoze dhe emoji të borës, të cilat përdoren si kod për kokainën.

Një prej llogarive të identifikuara kishte publikuar 135 njoftime për rekrutimin e shpërndarësve të drogës në qytete të ndryshme britanike, përfshirë Bristol, Londër, Reading, Blackburn, Wigan dhe Portsmouth.

Një tjetër njoftim ofronte pagesë prej 2,100 paundësh në javë në Manchester, si dhe transport, karburant dhe akomodim falas.

Një ekspert i fushës, cituar nga The Sun, e ka përshkruar këtë aktivitet kriminal si një lloj shërbimi “Deliveroo për drogën”, duke iu referuar mënyrës së organizuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Sipas tij, sapo një shtetas shqiptar përfundon dënimin dhe deportohet, vendin e tij në burg e zë një tjetër shqiptar. Eksperti pretendon se në një burg në Uells, një sektor i tërë është dedikuar për të burgosurit shqiptarë.

Ai shton se çdo ditë shtetas shqiptarë dalin përpara gjykatave britanike për çështje penale. Sipas pretendimeve të tij, shumë prej tyre janë emigrantë të paligjshëm, të cilët kanë mbërritur në Britani me gomone ose kanë paguar deri në 20 mijë paund për t'u transportuar fshehurazi në pjesën e pasme të kamionëve.

Eksperti thotë gjithashtu se, sa herë që një shpërndarës droge arrestohet dhe burgoset, kartelet e zëvendësojnë atë me një person tjetër, të rekrutuar përmes reklamave në TikTok apo rrjete të tjera sociale.

Rekrutimi dhe trafikimi përmes rrjeteve sociale

Më herët është raportuar se bandat shqiptare përdorin TikTok-un edhe për të reklamuar udhëtime drejt Britanisë së Madhe me jahte, duke premtuar mbërritje brenda së njëjtës ditë. Në një prej rasteve, kontrabandistët mburreshin se kishin transportuar së fundmi 11 persona drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Grupi pretendonte se ofronte një “udhëtim të qetë dhe të sigurt” drejt ujërave britanike, kundrejt pagesës prej 15 mijë paundësh. Llogaria u hoq nga TikTok vetëm pak orë pasi u raportua, ndërsa platforma bëri të ditur se ajo kishte shkelur rregullat kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit