“Bjeri borisë kundër qeverisë!”, kanë thirrur të rinjtë, studentët dhe qytetarët, të cilët vijojnë protestën kundër kryeministrit Edi Rama, tashmë në ditën e 177-të.
Gjatë lëvizjes në rrugët e kryeqytetit, protestuesit u kanë shpërndarë shoferëve edhe fletëpalosje, me thirrjen për t’iu bashkuar protestës mbarëkombëtare të 28 nëntorit. Përmes këtij aksioni, ata synojnë të përçojnë mesazhin e protestës edhe te qytetarët që nuk janë pjesë e tubimeve të përditshme.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kanë bërë të ditur se nuk tërhiqen nga kjo kërkesë, pavarësisht thirrjeve të tij për dialog.
Ndërkohë, fokusi i organizatorëve është tashmë te protesta e së shtunës, më 28 nëntor, për të cilën po bëhet thirrje për mobilizim qytetar nga të gjitha qytetet e vendit.













