Të paktën pesë persona kanë mbetur të plagosur pas përplasjes së një treni të kompanisë Amtrak me një kamion 18-rrotësh në Luiziana të SHBA-së. Aksidenti ndodhi të dielën pasdite, më 22 nëntor, në lindje të qytetit Lafayette.
Sipas deklaratës zyrtare të Amtrak, përplasja ndodhi në një kalim hekurudhor dhe shkaktoi daljen nga shinat të vagonit të parë të trenit, si dhe të dy vagonëve të bagazheve. Vagonët ku ndodheshin pasagjerët mbetën në shina.
Në momentin e aksidentit, në tren udhëtonin 95 persona. Pasagjerët u evakuuan dhe më pas u transportuan me autobus drejt destinacionit të tyre.
Rreshterja e Policisë së Lafayette, Ashley Wood, bëri të ditur se të plagosurit kishin marrë lëndime të lehta. Disa prej tyre u dërguan në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Kamioni i përfshirë në përplasje transportonte një buldozer, i cili përfundoi i përmbysur pranë shinave hekurudhore.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e zjarrfikësve, shpëtimit dhe specialistët e materialeve të rrezikshme, të cilët siguruan zonën dhe ndihmuan në evakuimin e pasagjerëve. Zjarrfikësit i shoqëruan ata drejt një zone të sigurt dhe i ndihmuan të merrnin edhe bagazhet personale.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e përplasjes.

