Irani po hyn në stinën e dimrit duke u përballur me një mungesë gjithnjë e më të madhe të gazit natyror, pasi dëmet në objektet kryesore të përpunimit, të shkaktuara gjatë luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, po e përkeqësojnë deficitin e furnizimit me të cilin vendi përballet prej vitesh. Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, paralajmëroi më 21 nëntor se shteti ka të ngjarë të përballet me probleme në furnizimin me energji gjatë këtij dimri.
“Edhe para kësaj jemi përballur me një çekuilibër energjetik, teksa sulmet ndaj infrastrukturës së gazit në vend e kanë përkeqësuar edhe më shumë këtë gjendje. Presim të përballemi me probleme gjatë dimrit”, tha Pezeshkian.
Ai tha se sulmet kanë nxjerrë jashtë funksionit kapacitete të prodhimit të gazit prej 240 milionë metrash kub në ditë, nga të cilat rreth 100 milionë metra kub janë rikthyer në funksion. Kjo do të thotë se rreth 140 milionë metra kub në ditë mbeten jashtë funksionit, krahas mungesës së furnizimit që ekzistonte edhe para luftës dhe që, sipas Pezeshkianit, arrinte në 250 deri në 300 milionë metra kub në ditë gjatë periudhave kur konsumi arrin pikun.
Vlerësimet e zyrtarëve lidhur me mungesën e gazit këtë dimër variojnë nga 400 deri në 530 milionë metra kub në ditë. Kreu i Kompanisë Kombëtare iraniane të Gazit, Saeed Tavakoli, ka paralajmëruar se të paktën 11 provinca mund të përballen me vështirësi në furnizim, ndërsa zëdhënësja e qeverisë, Fatemeh Mohajerani, ka paralajmëruar se ndërprerjet mund të prekin edhe Teheranin nëse konsumi mbetet i lartë. Mungesa e gazit rrezikon të shkaktojë ndërprerje të mëtejshme në industri. Irani tashmë ka kufizuar furnizimin me gaz për disa fabrika dhe ka pasur raportime për ndërprerje të prodhimit në sektorët e çimentos dhe petrokimisë.
Ndërkaq, zëvendësministri i Energjisë, Mostafa Rajabi Mashhadi, ka paralajmëruar se furnizimi i termocentraleve me karburant do të jetë më i vështirë këtë dimër për shkak të rënies së prodhimit të gazit. Qeveria pret të vazhdojë djegien e mazutit, një lëndë djegëse e rëndë, për të kompensuar mungesën.
Kompania shtetërore e energjisë elektrike, Tavanir, nisi më 22 nëntor zbatimin e ndërprerjeve të planifikuara të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Mohammad Allahdad, për këtë vendim fajësoi mungesën e karburantit në termocentrale. Irani ka rezervat e dyta më të mëdha të gazit natyror në botë, por prej vitesh ka vështirësi për të furnizuar popullsinë e vet.
Sanksionet ndërkombëtare kanë larguar investitorët e huaj dhe kanë penguar që vendi të sigurojë teknologjinë e nevojshme, ndërsa fushat e vjetruara, rrjeti i amortizuar i gazsjellësve dhe konsumi i lartë, i nxitur nga subvencionet e mëdha, kanë bërë që prodhimi të mos arrijë të përmbushë kërkesën gjatë çdo dimri./REL













