Alberto Núñez Feijóo është në rrugën e duhur për t’u bërë kryeministri i ardhshëm i vendit — por vetëm me mbështetjen e partisë Vox
Favoriti për t’u bërë kryeministri i ardhshëm i Spanjës u rrit në një fshat të lagur nga shirat, të ndarë nga tre lumenj. Nga apartamenti i familjes së tij, Alberto Núñez Feijóo mund të shihte fqinjët që jetonin në shpatet e gjelbra përtej ujit. Por për të arritur tek ata duhej të përshkonte 6 kilometra në këmbë.
Kur Feijóo u bë president i rajonit të Galicisë në vitin 2009, ai ndërtoi një urë mbi lumin Minho — një projekt që përforcoi reputacionin e tij si një drejtues pragmatist që i çon gjërat deri në fund. “Ai nuk e ka mbajtur kurrë veten për dikë të madh”, thotë Rosa Caride, 83 vjeçe, e cila ende jeton në Os Peares, në ndërtesën ku u rrit Feijóo. “Kur kthehet në fshat, i përqafon të gjithë.”
Sondazhet sugjerojnë se zgjedhjet e përgjithshme në Spanjë, më 29 nëntor, do t’i japin 65-vjeçarit Feijóo mundësinë për të dëshmuar aftësitë e tij në skenën kombëtare. Por ekziston një pengesë.
Ai është një politikan pa shumë shkëlqim në fushatat zgjedhore, i cili nuk mund të rivalizojë karizmën e kryeministrit socialist Pedro Sánchez dhe as zjarrin e tërbimin e Santiago Abascal, kreut të partisë së ekstremit të djathtë Vox dhe partnerit të tij të mundshëm në koalicion.
Strategjia e Feijóo-s është të përfitojë nga pakënaqësia e publikut ndaj Sánchez-it. Në një tubim të fundit, ai u zotua t’i japë fund tetë viteve të “korrupsionit, machizmit, paaftësisë dhe arrogancës”.
Por rruga e tij drejt pushtetit varet nga arritja e një shumice të përbashkët me Vox-in, e cila sipas sondazheve mbështetet nga 18-20 për qind e votuesve, kryesisht në kurriz të Partisë Popullore (PP) të Feijóo-s. Rezultati mund të jetë qeveria e parë spanjolle me ministra të ekstremit të djathtë që nga fundi i diktaturës së Frankos — një përmbysje dramatike për një nga bastionet e fundit të udhëheqjes së majtë në BE.
“Gjithçka ka të bëjë me imazhin e tij”, thotë Diego Mo Groba, profesor i shkencave politike në Universitetin e Santiago de Compostela-s, në Galici. “Feijóo ka një profil shumë teknokratik, shumë menaxherial. Por sot njerëzit kërkojnë liderë që ngjallin emocione — dhe në këtë aspekt ai nuk i ka mjetet e duhura, nuk e ka aurën, nuk i ka cilësitë e nevojshme.”
Nëse përfundon në pushtet me Vox-in, e ardhmja e Spanjës do të varet nga fakti nëse Feijóo do të arrijë t’i vërë fre ideve nxitëse të kësaj partie apo do të vendosë të përqafojë radikalizmin e saj polarizues.
Ai do të sillte gjithashtu një qasje të ndryshme në arenën ndërkombëtare. Feijóo e ka kritikuar Sánchez-in për përplasjet me presidentin amerikan Donald Trump. Ndryshe nga Sánchez, ai nuk flet anglisht. “Më interesojnë më shumë problemet me të cilat përballet vendi im sesa të mësoj një gjuhë”, i tha ai një podkasteri.
Biografi Fran Balado e përshkruan Feijóo-n si “auster dhe metodik”. Në një debat kokë më kokë të enjten, ai qortoi Sánchez-in për vallëzimin në tubimet elektorale, veçanërisht pas vdekjes së 69 personave në një aksident me tren me shpejtësi të lartë në fund të tetorit. Sánchez u kundërpërgjigj se Feijóo nuk kishte ofruar “asgjë përveç kritikave, pa asnjë propozim”.
I lindur gjatë diktaturës së Frankos, Feijóo u rrit në Os Peares, ku familja e tij administronte një furrë buke dhe një dyqan ushqimor.
Në moshën 10-vjeçare, prindërit e dërguan në një shkollë me konvikt katolike dhe disiplinë të rreptë në León. Pas studimeve për drejtësi, ai u bë nëpunës civil, duke mbajtur poste të larta në sistemin shëndetësor publik, përpara se të merrte drejtimin e shërbimit postar të Spanjës. Në vitin 2006 u bë kreu i PP-së në Galici dhe tre vjet më vonë u zgjodh president i rajonit, në kulmin e krizës së tregut spanjoll të pasurive të paluajtshme.
Rritja ekonomike e Galicisë gjatë kohës së tij në detyrë ishte përgjithësisht në të njëjtin nivel me mesataren kombëtare. Por Marta Fernández Currás, mike dhe ish-kolege e tij në qeveri, i atribuon meritën për tërheqjen e investimeve të huaja, duke e bërë rajonin “të besueshëm dhe të parashikueshëm”, si dhe duke mbajtur nën kontroll borxhin publik.
Manuel Seoane, kryetari i bashkisë së njërit prej katër komunave që përbëjnë Os Peares, tha se Feijóo kishte dëshmuar se “nëse premton diçka, e mban fjalën. Mund të marrë një vit, mund të marrë tre, por ai e çon deri në fund atë që ka premtuar”.
Gjatë kohës si president i rajonit, ai njohu partneren e tij, Eva Cárdenas, ish-drejtuese e Inditex-it, e cila drejtonte Zara Home. Por mbi të rëndon ende një histori e së kaluarës në Galici: fotografitë e pushimeve, ku ai shfaqet pa këmishë në një varkë me Marcial Dorado-n, një trafikant droge i dënuar.

Ish-kundërshtari politik, Gonzalo Caballero, thotë se Feijóo është një “pragmatist” që përshtatet sipas rrethanave, për të arritur atë që është realisht e mundshme.
Fotografitë janë realizuar në mesin e viteve 1990, kur Galicia ishte një vatër e trafikut të drogës, dhe Feijóo nuk ka arritur kurrë t’u japë fund pyetjeve mbi zgjedhjen e tij për mik. Ai këmbëngul se në atë kohë Dorado nuk ishte shpallur fajtor për vepra penale të lidhura me drogën, megjithëse ishte përfshirë në kontrabandën e duhanit, shkruan FT.
Për PP-në, më të rëndësishme ishin katër zgjedhjet rajonale radhazi në të cilat Feijóo fitoi shumicën absolute, duke forcuar kredencialet e tij për t’u bërë lider kombëtar në vitin 2022.
Përballë Vox-it, Feijóo është treguar një “mundësist”, i cili e përshtat veten sipas asaj që është realisht e arritshme, tha Gonzalo Caballero, i cili e kundërshtoi atë për katër vjet si kreu i socialistëve në Galici.
“Mos e mendoni si një lider me një vizion të madh politik, me kulturë të thellë politike apo me një bazë të fortë mbështetëse, por më tepër si dikë që kontrollon mekanizmin e PP-së dhe përshtatet me rrethanat”, tha Caballero, i cili tani është profesor i ekonomisë në Universitetin e Vigos.
Feijóo u shpëton klasifikimeve të qarta ideologjike. Ai ka shmangur angazhimet e prera për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes apo uljen e taksave, duke thënë se duhet të auditojë financat publike të Spanjës përpara se të marrë vendime.
Kjo paqartësi pasqyron pjesërisht nevojën e tij për të tërhequr votuesit e zhgënjyer socialistë. Por ish-moderati e ka zhvendosur gjithashtu PP-në drejt së djathtës, në përpjekje për të ndalur humbjen e mbështetjes në favor të Vox-it.
Në debatin e kësaj jave, Feijóo e akuzoi Sánchez-in, i cili qëndroi kryesisht pasiv, se i mungonte “dinjiteti” dhe se ishte “i papërgjegjshëm”. Ai ka përvetësuar gjithashtu disa qëndrime të Vox-it, përfshirë armiqësinë ndaj emigracionit mysliman dhe premtimin për të ndaluar mbulesat që fshehin plotësisht fytyrën në vende publike. “PP-ja nuk do t’i shpërfillë rreziqet që paraqet fundamentalizmi islamik”, tha ai në një tubim.
Megjithatë, Vox përbën një mundësi po aq sa edhe një kërcënim. Feijóo tashmë qeveris me këtë parti në katër rajone të Spanjës dhe nuk ka shumë gjasa që të krijohet një kordon sanitar për ta mbajtur atë jashtë pushtetit kombëtar. Pas sulmeve të ndërsjella gjatë zgjedhjeve të vitit 2023, të dyja partitë kanë arritur një pakt të heshtur mosagresioni, duke përqendruar sulmet e tyre ndaj Sánchez-it.
Kreu i Vox-it, Abascal, thotë se ai dhe Feijóo flasin rregullisht, sepse kjo është “detyra e tyre patriotike”. Feijóo thotë se përplasjet kanë marrë fund, sepse “Vox-i është përballur me realitetin”.
Por për pragmatistin që e konsideron veten të tillë, realiteti është se rrugëtimi i tij drejt majës mund të varet nga fakti nëse do të marrë me vete edhe të djathtën ekstreme.