“Të mos ketë mekanizma të cilët duhet ta komandojnë dhe ta kontrollojnë ligjin e sponsorizimit”

23 Nëntor 2026
19:36
Telesport
back button

“Nuk jam nga ata që besojnë se plani dyvjeçar sjell begati dhe nuk jam nga ata që besojnë se ligji për sponsorizimin do ta sjellë begatinë, por është një nga ato gjërat e rëndësishme që e ndihmon zhvillimin e sportit në Shqipëri.” Armand Duka me ide te qarta mbi ligjin e sponsorizimit. Te intervista me “Sport Fokus”, kreu i FSHF u ndal te fakti se “pa një incentivë financiare është shumë e vështirë për disa degë të ekonomisë, jo vetëm për futbollin, nëse do ta quaja edhe futbollin degë të ekonomisë, sepse është realisht një aktivitet sportiv i cili ndikon në ekonominë shqiptare, mbase më shumë sesa shumë gjëra të tjera.

E kam thënë në editorialin që ju përmendët se ndikimi i futbollit në ekonominë shqiptare është rreth 70 milionë euro në vit. Kjo është e studiuar nga ekspertë ndërkombëtarë dhe e faktuar. Ne kërkojmë që, duke qenë një ekonomi që ndikon kaq shumë, të marrë një pjesë të atij ndikimi për ta pasur ndikimin në të ardhmen akoma më të madh.

Nuk kërkohet sadaka, nuk kërkohet donacion, por investim. Investim i cili kthehet shumë më shumë nga ky aktivitet.

Ministria e Financave mendon që ne, nëpërmjet ligjit të sponsorizimit, qoftë edhe pretendimeve për të pasur pjesë nga buxheti i shtetit, i fusim dorën buxhetit. Jo, ne i japim buxhetit dhe kërkojmë të marrim atë që na takon, të cilën na e kanë mohuar për 35 vite dhe vazhdojnë të tentojnë të na e mohojnë.

Kur bëhet një ndryshim që duhet përshëndetur, ky që më në fund është në tavolinë pas një lufte shumë të gjatë, duan edhe ta promovojnë si një dhuratë. Nuk është dhuratë, është një gjë që na takon. Por duhet që ajo që dikush e konsideron dhuratë dhe ne e konsiderojmë të drejtë, të bëhet funksionale dhe të ndihmojë zhvillimin e futbollit.

Kur mendojnë për të miratuar ligjin e sponsorizimit, po qoftë edhe buxhetin dhe shpërndarjen e buxhetit, për të cilën lexova dje një shkrim të Gerti Çarçanit, ku thuhet se Shqipëria ka promovuar dhe trumbetuar një buxhet me 10 miliardë euro dhe ka një buxhet për sportin prej 8 milionë eurosh, ndërsa Kosova, me një buxhet më pak se gjysma jonë, 4.27 miliardë euro, ka një buxhet prej 70 milionë eurosh.

Ne kërkojmë që të bëjmë shumë më tepër se ata. Pastaj pashë aty edhe buxhetin e Bullgarisë, që ishte 107 milionë euro. Kështu që duhet të jemi të barabartë.

Kur mendojnë për ligjin dhe buxhetin, ata që i shkruajnë, burokratët, dhe këta që i miratojnë, të mos shohin fytyra përpara, asnjë president futbolli dhe asnjë trajner futbolli, por të shohin fëmijët e tyre duke luajtur futboll, të shohin fushat ku duhet të luajnë fëmijët e tyre. Nëse do ta shohin kështu, do të jenë më të arsyeshëm në logjikimin e tyre.

Për t’u kthyer konkretisht te pyetja dhe te çfarë ne mendojmë, unë e kam thënë në atë editorial që vërtet e përshëndes faktin që më në fund erdhi në tavolinë. Më në fund ka një zhvillim shumë pozitiv, që përcakton se 30% e tatimit mund të sponsorizohet.

Duhet bërë një korrigjim. E keqja është se ne kemi shkëmbyer miliona takime, miliona propozime dhe sugjerime se si duhet të jetë ligji funksional. Kur vjen në tavolinë, na thuhet po, por kur vjen në tavolinë nuk pasqyrohen ato.

Ne nuk kemi propozuar apo sugjeruar asgjë jo logjike, por vetëm gjëra logjike që e bëjnë ligjin funksional.

Edhe njëherë, duhet përshëndetur që në tavolinë ka ardhur ky 30%. Duhet saktësuar që kjo nuk duhet thënë si zbritje nga tatimi, por si një pagesë alternative, që biznesi të jetë i sigurt kur e bën këtë.

Të mos ketë mekanizma të cilët duhet ta komandojnë dhe ta kontrollojnë, por të vendosen kritere dhe të kontrollohet post-faktum, pasi ndodh. Kështu bëjmë në gjithë jetën tonë, kështu bëjmë edhe në biznes. Nuk na vjen neve askush të na thotë se si do ta bëjmë faturën e shitjes apo të blerjes, nuk na vjen askush të na thotë se si do ta bëjmë kontratën e bashkëpunimit, por pasi ndodh, jemi objekt i kontrollit. Nëse kemi bërë shkelje në biznes, padyshim paguajmë penalitete nga më të ndryshmet.

E njëjta gjë, pse duhet të jetë ndryshe? Pse duhet të mbajë dikush autorizimin se kush do të sponsorizojë dhe kush do të sponsorizohet? Duhen vendosur rregulla dhe kritere dhe i sponsorizuari apo të sponsorizuarit duhet t’i respektojnë ato rregulla.

Edhe tjetra, çdo gjë duhet përshëndetur, edhe 2 miliardëshi që është vendosur, sepse ka qenë zero. Por është një gjë absolutisht e pamjaftueshme. Është një gjë, nuk dua të them qesharake, por e papërfillshme. Çfarë do të bësh me 2 miliardë? Çfarë do të bësh nëse pretendon që do të bësh infrastrukturë? Thuaj një projekt, sepse ai 2 miliardëshi është për sport, kulturë dhe art. Nëse do të fillojmë t’i zbresim, çfarë do të mbetet? Çfarë vepre mund të bësh nëpërmjet atij ligji?

Duhet ta mendojmë pak më mirë. Nëse do të ishte minimalisht 10 miliardë, aq sa unë e kam thënë në atë editorialin tim, atëherë biznesi dhe sporti mund të bëjnë projekte madhore.

Ne jemi dëshmitarë të shumë projekteve që janë ideuar në Shqipëri dhe nuk janë përfunduar. Në këtë mënyrë do të jetë shumë më e lehtë për t’i përfunduar këto projekte.

Nuk themi që ligji i sponsorizimit… Ai 2 miliardëshi tani mendohet si një lloj mënyre zëvendësimi i buxhetit që duhet të kishte Ministria, sepse 2 miliardëshi plus buxhetin që ka Ministria e Sportit, që bëjnë afërsisht 28 milionë euro, është sa gjysma ose më pak se gjysma e buxhetit që ka Kosova.”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit