Si të shmangni kurthin e perfeksionizmit

Sipas një raporti të ResumeNow, aftësitë e gjykimit dhe vendimmarrjes konsiderohen thelbësore në 70% të 20 profesioneve me rritjen më të shpejtë. Ndërsa një studim i Burning Glass Institute zbuloi se 41% e mbi 6.8 milionë njoftimeve për punë në SHBA, gjatë viteve 2022-2024, kërkonin aftësi vendimmarrjeje, përfshirë zgjidhjen e problemeve, analizën e rrezikut dhe mendimin strategjik.
Psikoterapistja Chamin Ajjan shpjegon se një nga pengesat kryesore në vendimmarrje është perfeksionizmi. Shumë profesionistë analizojnë pafundësisht alternativat, duke kërkuar zgjedhjen ideale dhe duke përfunduar në atë që psikologët e quajnë “paralizë nga analiza”.
Studimet e psikologut Barry Schwartz, autor i librit The Paradox of Choice, kanë zbuluar se njerëzit që këmbëngulin të gjejnë alternativën më të mirë përjetojnë më shumë pendim, ankth dhe pakënaqësi sesa ata që zgjedhin një mundësi të mirë, e cila përmbush kriteret e tyre kryesore.
Sipas Ajjan, profesionistët më të suksesshëm nuk shpenzojnë energji duke kërkuar rrugën perfekte, por marrin një vendim të arsyeshëm dhe përqendrohen te zbatimi i tij.
Për të shmangur kurthin e perfeksionizmit, ajo rekomandon tre hapa.
1. Përcaktoni kriteret e një zgjedhjeje mjaftueshëm të mirë
Në vend që të analizoni çdo alternativë, identifikoni kushtet që duhet të përmbushë vendimi juaj. Kufizoni kërkimin, për shembull, në dy orë, tri burime informacioni ose dy-tri oferta.
Kur një alternativë përmbush 80-90% të kritereve, ndërprisni kërkimin dhe merrni vendimin. Energjia e mbetur duhet përdorur për planifikimin dhe zbatimin e tij.
2. Vendosni një afat për marrjen e vendimit
Shtyrja e vendimeve shpesh nuk lidhet me mungesën e kohës, por me përpjekjen për të shmangur stresin dhe pasigurinë.
Vendosni një afat të qartë dhe respektojeni. Mund ta ndani procesin në faza, duke përcaktuar kohën për mbledhjen e informacionit, vlerësimin e alternativave dhe zgjedhjen përfundimtare.
Një vendim i mirë, i zbatuar sot, mund të vlejë më shumë sesa një vendim perfekt që shtyhet vazhdimisht.
3. Jini fleksibël dhe të gatshëm të ndryshoni drejtim
Asnjë vendim nuk garanton rezultate të përsosura. Aftësia më e vlefshme është përshtatja kur rrethanat ndryshojnë.
Studimet mbi fleksibilitetin psikologjik e lidhin aftësinë për të ndryshuar mënyrën e të menduarit me nivele më të ulëta ankthi dhe qëndrueshmëri më të madhe përballë presionit.
Në vend që të pyesni vazhdimisht veten nëse keni marrë vendimin e duhur, mendoni se si mund të veproni nëse gjërat nuk shkojnë sipas planit.
Sipas Ajjan, suksesi nuk varet nga aftësia për të parashikuar gjithçka, por nga marrja e vendimeve të arsyeshme, zbatimi i tyre dhe gatishmëria për t’u përshtatur me rezultatet. / CNBC
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









