Luan Dalipi, ish-shef i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, është emëruar në postin e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Investime dhe Eksporte.

Vendimi për emërimin e Dalipit është marrë sot pasdite, në mbledhjen e 13-të elektronike të Qeverisë së Kosovës.


Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka marrë edhe disa vendime të tjera.

Ndër to është miratimi i kërkesës së Doganës së Kosovës për dhënien me qira të hapësirave dhe zyrave në Terminalin Doganor në Hani të Elezit, për një periudhë prej 36 muajsh.

Po ashtu, është miratuar Raporti për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Qeveria ka miratuar në parim edhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që synon shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.

Në mesin e vendimeve të tjera është edhe miratimi i kërkesës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për shitjen e automjeteve zyrtare që janë të papërdorshme dhe jashtë funksionit.