Atmosfera e Krishtlindjeve mbërrin në Shtëpinë e Bardhë, Melania Trump përzgjedh bredhin 20-vjeçar që do të zbukurojë rezidencën presidenciale

23/11/2026 20:41

Melania Trump ka çelur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e Krishtlindjeve në Shtëpinë e Bardhë, duke mirëpritur bredhin tradicional festiv, i cili këtë vit është plot 18 metra i lartë.

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shfaq elegante me një pallto-fustan me kuadrate të kuqe dhe të bardha, të kombinuar me këpucë me taka në ngjyrë bordo, ndërsa doli përpara rezidencës presidenciale në Uashington për të pritur pemën e Krishtlindjeve.

Bredhi, i llojit Concolor, ka udhëtuar qindra kilometra nga ferma familjare “Silent Night Evergreens”, në Endeavor të Wisconsin-it. Ai do të vendoset në Dhomën Blu të Shtëpisë së Bardhë, ku do të jetë elementi qendror i dekorimeve festive të këtij viti.

Pema është pothuajse 20-vjeçare dhe, kur u përzgjodh në fermë gjatë muajit shtator, ishte rreth 30 metra e lartë. Ajo u pre më 17 nëntor dhe më pas nisi udhëtimin drejt kryeqytetit amerikan.

“Është një pemë e bukur. Jam mirënjohëse për familjen dhe shëndetin, dhe i uroj të gjithëve Krishtlindje të gëzuara”, u shpreh Melania për gazetarët, sipas raportimit të grupit të gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë.

Gjatë qëndrimit të saj, ajo përshëndeti edhe familjen Chapman, e cila zotëron fermën ku u rrit bredhi. Bredhi u kultivua nga David dhe Leah Chapman, pronarët e fermës “Silent Night Evergreens”, të cilët udhëtuan drejt Uashingtonit së bashku me dy vajzat e tyre, Madilyn dhe Reagan.

Familja fitoi të drejtën për të furnizuar Shtëpinë e Bardhë pasi triumfoi në konkursin kombëtar të Shoqatës Kombëtare të Pemëve të Krishtlindjeve, me një bredh të llojit Balsam. Kjo është hera e katërt që ferma e tyre furnizon rezidencën presidenciale me pemën zyrtare të Krishtlindjeve. Kjo kishte ndodhur më parë në vitet 1998, 2003 dhe 2017.

Lidhja e familjes me këtë traditë shkon edhe më tej. Gjyshërit e David Chapman kishin furnizuar Shtëpinë e Bardhë me një bredh në vitin 1988, duke e shtrirë këtë traditë familjare në tri breza. Transporti i pemës u krye nga Chuck Jensen, veteran i ushtrisë amerikane dhe drejtues kamioni në kompaninë FedEx Freight prej më shumë se 36 vitesh.

Jensen, i cili shërbeu për 10 vjet në ushtrinë amerikane, e cilësoi këtë detyrë si një nder të veçantë.

“Është nder të përfaqësoj veteranët dhe të sjell këtë pemë Krishtlindjesh në Uashington”, deklaroi ai për “Mid-West Farm Report” përpara nisjes së udhëtimit.

Mbërritja e bredhit shënon fillimin e transformimit festiv të Shtëpisë së Bardhë, proces që mbikëqyret nga Melania Trump. Tema e zgjedhur për dekorimet e këtij viti është “America in Bloom” (Amerika në lulëzim), ndërsa detajet e plota të zbukurimeve ende nuk janë bërë publike.

Në ditët në vijim, vullnetarët do të angazhohen për të dekoruar ambientet e rezidencës presidenciale. Rezultati përfundimtar pritet t’u prezantohet gazetarëve më 30 nëntor.

Mes personave të përzgjedhur është edhe Kaila Ramos, një luleshitëse nga Luiziana, e cila u zgjodh mes më shumë se 15 mijë aplikantëve për të marrë pjesë në dekorimin e Shtëpisë së Bardhë.

“Do të doja që të kishte një Krishtlindje tradicionale”, tha Ramos për gazetën “The U.S. Sun” muajin e kaluar.

“Mendoj se do të sjell edhe disa elemente të traditës së Jugut”, shtoi ajo.

Vitin e kaluar, Melania kishte zgjedhur temën “Home Is Where the Heart Is” (Shtëpia është aty ku është zemra), për Krishtlindjet e para të familjes Trump pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë.

Përveç bredhit festiv, vëmendje tërhoqi edhe veshja e Melania Trump. Zonja e Parë kishte zgjedhur një pallto me kuadrate të kuqe dhe të bardha, të dizajnuar nga Gabriela Hearst, e cila fillimisht ishte shitur për rreth 4,900 dollarë.

Nuk ishte hera e parë që ajo e vishte këtë model. Melania e kishte përdorur të njëjtën pallto edhe shtatë vite më parë, më 5 dhjetor 2019, kur shoqëronte presidentin Donald Trump në ceremoninë e ndezjes së dritave të Pemës Kombëtare të Krishtlindjeve. Kështu, me mbërritjen e bredhit 18-metërsh dhe nisjen e dekorimeve, Shtëpia e Bardhë ka hyrë zyrtarisht në atmosferën e festave të fundvitit.

Top Channel