Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, tha në Real Story se kontributi i administratës tatimore në buxhet pritet të arrijë në 5 miliardë euro deri në fund të vitit.
Binaj theksoi se rritja e të ardhurave mbetet në fokus, por kërkon kohë, duke nënvizuar se Tatimet nuk duhet të shndërrohen në një institucion represiv dhe se qytetarët duhet të vetëdeklarojnë detyrimet e tyre.
“Në kuptimin e ndarjes që do të kenë tatimet në buxhet, 5.7 miliardë do të jetë kontributi ynë në buxhet. Shpresojmë që deri në fund të vitit të arrijmë në 5 miliardë euro. Kjo është larg pritshmërive. Nëse Tatimet do të arrinin të mblidhnin aq sa mblidhet në Bosnjë, kjo do të reflektonte fondin e pensioneve të një viti.
Rritja e të ardhurave është në fokusin tonë dhe nuk mund të ndodhë brenda një viti. Nuk mundet që Tatimet të shndërrohen në institucion represiv. Është detyra e qytetarëve që të vetëdeklarojnë detyrimet e tyre. Edhe politika fiskale ka qenë në ndihmë të biznesit për ta fuqizuar dhe për të akumuluar kapital. Në këtë moment kemi një orientim tjetër.”










