Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Evropa është e gatshme të ulet në tryezën e negociatave me Rusinë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, por ka kërkuar nga Moska të ndalë menjëherë veprimet që rrezikojnë sigurinë e vendeve evropiane. Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Berlin me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Merz bëri të ditur se bisedimet mund të zhvillohen në javët e ardhshme në formatin Ukrainë-Rusi-Evropë-SHBA, me mundësi që takimet të mbahen sërish në Abu Dhabi.
Duke iu referuar shkeljes së hapësirës ajrore polake nga raketat ruse, kancelari gjerman kërkoi që këto provokime të marrin fund menjëherë. Ai siguroi Poloninë për solidaritetin e plotë të Gjermanisë dhe theksoi se NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të vendeve anëtare. Merz paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve në rajonin e Detit Baltik, duke nënvizuar se asnjë vend i Aleancës nuk ka interes për një konflikt të ri.
Kancelari gjerman theksoi se çdo marrëveshje paqeje duhet të garantojë sovranitetin e Ukrainës dhe sigurinë afatgjatë të Evropës. Ai shprehu gjithashtu mbështetjen për garanci sigurie për Kievin, të cilat sipas tij duhet t'i afrohen nivelit të mbrojtjes që ofron Neni 5 i Traktatit të NATO-s.
© SYRI.net