“Jakup, që tri ditë po vij te kjo derë. Tri ditë po pres me ta pa fytyrën, me ta ni zanin, me të përqafu. Kjo derë dikur hapej pa trokitë. Por sot, për me hi në shtëpinë tem, duhet me kërku leje”.
Me këto fjalë nis monologu prekës i Daut Krasniqit, 87 vjeç, vëllait të Jakup Krasniqit. Në një rrëfim për emisionin “Fiks Fare”, ai tregoi dhimbjen e pritjes për të takuar të vëllanë, i cili ishte kthyer për pak kohë në Kosovë për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes.
Me bastun në dorë, Dauti qëndroi për ditë të tëra pranë banesës së Jakupit, me shpresën se do të mund ta përqafonte. Por takimi nuk u realizua. Sipas rrëfimit të tij, ai u largua pa hyrë në shtëpi, nga frika se prania e tij mund të krijonte probleme për të vëllanë.
“Thuaji atij që sot e quan veten zot të kësaj shtëpie se unë nuk jam i huej. Me ty kam pi të njëjtin gji të nanës, në të njëjtin djep jemi përkundë, bukën e kemi nda përgjysmë. Teshat e mia i ke veshë ti, e të tuat unë. Jam Dauti, Jakup. Vëllai yt!”, tha ai në monolog.
Duke kujtuar çastet pranë portës, 87-vjeçari tregoi se kishte përfytyruar fytyrën dhe zërin e vëllait, por në fund kishte vendosur të largohej.
“Kur isha te porta, përfytyrova flokët e tu, fytyrën dhe zanin që dikur më thërriste. Deshta veç me të kapë për qafe e me të thanë: ‘Qysh je, bre vëlla?’. Por u largova, me zemrën copë. Jo pse nuk deshta me të pa, por pse nuk deshta me të sjellë telashe. Due veç me të pa, me ta shtrëngue dorën, nuk due që vitet e fundit të jetës sime të kalojnë pa ta dhanë edhe një përqafim”, u shpreh Dauti, mes lotësh.
Në fund të mesazhit, ai la të kuptohet se nuk do të heqë dorë nga shpresa për ta takuar: “Unë kam me të pritë, vëlla, edhe pse jam 87 vjeç”.
Pamjet e Daut Krasniqit duke pritur me bastun pranë banesës së të vëllait u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale. Në një moment, dy vëllezërit u përshëndetën me dorë nga larg, por nuk arritën të përqafoheshin. Sipas materialit të transmetuar, mbesa e Dautit e kishte telefonuar për t’i thënë se takimi mund të rrezikonte vizitën e të atit.
Historia e tyre riktheu vëmendjen te ana njerëzore e një procesi që prej vitesh zhvillohet në Hagë. Përtej vendimeve gjyqësore dhe qëndrimeve politike, pamjet tregojnë mallin e një 87-vjeçari për vëllanë, të cilin dëshiron ta takojë edhe një herë.
Jakup Krasniqi është një nga figurat e njohura të historisë politike të Kosovës. I lindur në Drenas në vitin 1951, ai studioi histori në Universitetin e Prishtinës dhe punoi si mësues, ndërsa u angazhua edhe në veprimtarinë politike ilegale kundër regjimit jugosllav.
Në vitin 1981, pas demonstratave të studentëve në Kosovë, Krasniqi u arrestua dhe u dënua për veprimtari kundër sistemit jugosllav. Ai kaloi 10 vjet e katër muaj në burgjet e ish-Jugosllavisë, kryesisht në territorin e Serbisë, dhe u lirua në vitin 1991.
Pas kthimit në Kosovë, vijoi veprimtarinë arsimore dhe politike. Gjatë luftës, në vitin 1998, u bë një nga zërat publikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përcjellë qëndrimet e Shtabit të Përgjithshëm dhe duke komunikuar me mediat vendase e ndërkombëtare. Ai ishte gjithashtu pjesë e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë.
Pas luftës, Krasniqi mbajti disa poste politike dhe shtetërore. U zgjodh deputet, ministër dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës. Më 17 shkurt 2008, ai drejtoi seancën historike në të cilën u shpall pavarësia e Kosovës. Në dy periudha të shkurtra ushtroi edhe detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit.
Më 4 nëntor 2020, Krasniqi u arrestua me urdhër të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe u transferua në Hagë. Bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, ai u përball me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i mohoi duke deklaruar pafajësinë.
Më 16 shtator 2026, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara e dënoi me 25 vjet burgim për krime lufte, ndërsa e shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Vendimi i shkallës së parë mund të kundërshtohet në procedurat e apelimit.
Për Daut Krasniqin, megjithatë, pritja nuk lidhet me procesin gjyqësor, por me një dëshirë të thjeshtë njerëzore: ta shohë dhe ta përqafojë edhe një herë vëllanë.

