Analisti Andi Bushati, ka komentuar përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe figurave brenda Partisë Socialiste, duke i parë ato si një tjetër dëshmi të mënyrës se si kreu i qeverisë ushtron pushtetin.
I ftuar në emisionin “Çim Peka Live” në Syri TV, Bushati u ndal te kërkesat e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, drejtuar Ramës, mes të cilave një mocion brenda partisë dhe ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar atë që Veliaj e konsideron persekutim në burg.
Sipas analistit, këto kërkesa janë të ngjashme me ato që opozita ka bërë prej vitesh, por që Rama i ka refuzuar vazhdimisht. Bushati theksoi se ndryshimi qëndron te fakti se këtë herë ato vijnë nga brenda vetë Partisë Socialiste, nga një prej figurave që dikur konsiderohej pjesë e rrethit të afërt të kryeministrit.
“Çfarë i kërkon opozita? Komisione dhe mocione në Parlament që Rama nuk i përfill. Mirëpo kur ia kërkonte PD-ja, Berisha, të tjerët, dukej si luftë opozitë-pozitë. Ndërkohë tani po ia kërkon një njeri brenda partisë, ‘delfini’ i tij, dhe prapë Rama ka të njëjtën sjellje”, u shpreh Bushati.
Sipas tij, reagimi i Ramës ndaj kërkesave të Veliajt tregon se qëndrimi i kryeministrit ndaj rregullave demokratike nuk ndryshon, pavarësisht nëse përballë ka kundërshtarët politikë apo bashkëpunëtorët e dikurshëm.
“Sepse thelbi i personazhit është thelbi i një personazhi anti-demokratik, thelbi i një personazhi autokrat”, deklaroi analisti.
Bushati argumentoi se përplasjet e fundit brenda PS-së, krahas qëndrimit të qeverisë ndaj protestave qytetare dhe opozitës, ofrojnë një këndvështrim tjetër për mënyrën se si Rama sillet me ata që i kundërvihen.
Ai theksoi se tashmë kryeministri po shihet jo vetëm përmes përballjes së tij të gjatë me opozitën, por edhe nga raportet e tensionuara me figura të vetë kampit socialist, si Erion Veliaj, Elisa Spiropali dhe Niko Peleshi.
“Ndoshta në një rast ta ka fajin PD-ja, por ty nuk mund ta ketë fajin edhe PD-ja, edhe familja jote politike, edhe qytetarët. Kur ty nga të tre kamerat dukesh që je po i njëjti, thelbi i të keqes qëndron te ty dhe jo te të tjerët”, përfundoi Bushati.












