Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk është i qetë përballë zhvillimeve të fundit në Partinë Socialiste, ndërsa i cilësoi presionet ndaj Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës si një përpjekje për të disiplinuar radhët e mazhorancës.
I ftuar në emisionin “Prime News24”, Gjoni tha se situata e tensionuar brenda PS-së është një prej arsyeve që ndikojnë te qëndrimi i kryeministrit, por jo e vetmja. Sipas tij, Rama po shkon përtej kufijve ligjorë dhe kushtetues në raport me çështjen e Erion Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim, ndërsa njëkohësisht ushtron presion mbi anëtarët e Partisë Socialiste.
“Rama nuk është i qetë. Kjo a ka ardhur prej mënyrës si po zien kazani në PS? Deri diku po, por nuk janë vetëm këto shkaqet. Fakti që Rama shkon përtej asaj që është ligjore, përtej asaj që është normale dhe shkon në disa represione dhe presione që çojnë në shkelje të Kushtetutës dhe të të drejtave të njeriut në raport me Erion Veliajn, që është në paraburgim, por nga krahu tjetër shoh një presion mbi anëtarët e PS-së, por nuk ka vendimmarrje”, u shpreh Gjoni.
Ai u ndal te paralajmërimet për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, duke theksuar se deri më tani nuk është marrë një vendim konkret për largimin e tyre nga grupi parlamentar. Si argument, Gjoni përmendi qëndrimin e Spiropalit në Kuvend gjatë votimit të buxhetit.
“E them këtë për një arsye. Sepse u deklarua që do të ketë përjashtim të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës për të dhënë një mësim, por nuk kishte vendimmarrje. Kjo duket në Parlament. Nëse Spiropali do të ishte përjashtuar, do të ishte vendosur te Marjana Koçeku, jo të ishte në rresht për të votuar buxhetin që u votua para disa ditësh. Fakti që ajo është në grupin e PS-së tregon se ky është thjesht një presion”, deklaroi deputeti demokrat.
Sipas Gjonit, largimi i Spiropalit nga drejtimi politik i Tiranës lidhet me qëndrimin e saj, të cilin ai e konsideron thuajse kundërshtues ndaj mënyrës se si është drejtuar deri më tani Partia Socialiste. Megjithatë, ai theksoi se Spiropali nuk ka mbajtur një qëndrim të hapur kundër Ramës, pasi karriera e saj politike është ndërtuar brenda PS-së.
Gjoni ngriti gjithashtu akuza për ndikimin e kryeministrit në zhvillimet brenda mazhorancës dhe në proceset hetimore, duke pretenduar se përplasjet e fundit lidhen me luftën mes klaneve për pushtet.
“Nëse shohim diskursin e saj, qoftë në rrjetet sociale, por edhe në intervistën që ka dhënë, zonja Spiropali nuk është se kishte një qëndrim refraktar në raport me Edi Ramën. Zonja Spiropali është në një dyshim. Fakti që është rritur në PS dhe ka shkuar në karrierë deri kryetare e Kuvendit, nuk kërkon ta çojë në zero këtë karrierë. Ajo e kupton se SPAK-u dhe hetimet penale janë goditje me regji, dhe regjia vjen nga Edi Rama”, u shpreh ai.
Në përfundim, deputeti demokrat deklaroi se brenda Partisë Socialiste ka nisur një përplasje mes grupeve të ndryshme, ndërsa përgjegjësinë për situatën ia atribuoi kryeministrit Rama.
“Sot aty ka filluar lufta e klaneve, pavarësisht se njëri është kumbari i tjetrit, tjetri i ka mbajtur fëmijët tjetrit. Kanë shkuar në luftë sepse pushteti politik po humbet edhe dinjitetin njerëzor. Këta kanë dalë jashtë kësaj dhe personi që mban gjithë xhindet bashkë është Edi Rama”, përfundoi Gjoni.
