Belgjika është përfshirë nga një grevë kombëtare që ka paralizuar pjesë të mëdha të transportit dhe shërbimeve publike në shenjë proteste kundër masave shtrënguese të qeverisë federale. Qindra fluturime dhe trena u anuluan, ndërsa aeroportet kryesore u përballën me ndërprerje të aktivitetit. Kontrollori i trafikut ajror Skeyes njoftoi se nuk mund të garantonte ofrimin e shërbimeve të zakonshme, duke çuar në ndalimin e trafikut ajror në të gjithë vendin. Aeroporti i Brukselit anuloi të gjitha fluturimet në nisje dhe mbërritje nga ora 07:00 deri në 21:00 sipas orës lokale, ndërsa aktiviteti u ndërpre edhe në aeroportin e Charleroi-t, të përdorur kryesisht nga linjat me kosto të ulët, përfshirë Ryanair. Sipas Bordit të Përfaqësuesve të Linjave Ajrore në Belgjikë, kjo ishte greva e 11-të që prek hapësirën ajrore belge brenda po kaq muajsh.
Përveç transportit ajror, greva preku edhe shërbimin hekurudhor, autobusët, shkollat dhe një sërë shërbimesh të tjera publike. Protestat u organizuan nga sindikatat kundër politikave ekonomike të qeverisë së kryeministrit Bart De Wever, e cila synon të kursejë rreth 10 miliardë euro në vitet e ardhshme për të reduktuar deficitin buxhetor. Plani i kursimeve shkaktoi përçarje brenda koalicionit qeverisës dhe rriti pasigurinë për të ardhmen e kabinetit. De Wever i ofroi më herët dorëheqjen Mbretit Philippe, por monarku nuk e pranoi, duke i dhënë kryeministrit më shumë kohë për të zgjidhur ngërçin politik.
Pas dështimit të një raundi negociatash për buxhetin, De Wever vendosi 31 dhjetorin si afatin përfundimtar për arritjen e një marrëveshjeje mbi buxhetin e vitit të ardhshëm. Zyra e kryeministrit paralajmëroi se mungesa e një marrëveshjeje deri në fund të vitit mund të çojë në paralizimin e qeverisë dhe në përfundimin e funksionimit të saj. Ndër masat që po shqyrtohen përfshihen shkurtimet e shpenzimeve publike, sidomos në sektorin e shëndetësisë, dhe rritja e TVSH-së. Sindikatat kërkojnë që barra financiare të shpërndahet edhe te personat me të ardhura të larta përmes rritjes së taksave ndaj tyre. Ndërsa pakënaqësitë për rritjen e kostos së jetesës vazhdojnë, Belgjika po përballet me një valë të përsëritur protestash, në një kontekst ku edhe vende të tjera evropiane përjetojnë tensione të ngjashme sociale dhe ekonomike.
