Në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv është diskutuar mbrëmjen e sotme për thellimin e ‘luftës’ mes Erion Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama, pas shkarkimit nga kryebashkiaku më 20 nëntor të kryeinspektorit të IMT-së, Rigers Sheqeri, drejtoreshës së Kopshteve dhe Çerdheve, Zhaneta Beqiri dhe të drejtoreshës së Policisë Bashkiake, Elona Lalajt.

Avokati Arbër Hoxha, duke i cilësuar shkarkimet si të drejta, shprehu bindjen se kryebashkiaku Veliaj mund të bëhet një pengesë për PS-në, për të fituar Bashkinë e Tiranës.

Duke e cilësuar shkarkimin e Veliajt si anti-kushtetues dhe duke përmendur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e rikonfirmoi në detyrë, Hoxha tha se në këto kushte Rama nuk duhet të flasë për shkarkime të padrejta në Bashkinë Tiranë, pasi sipas tij, kryebashkiak është Veliaj.

“Unë mendoj se Veliaj është një pengesë për Ramën për Bashkinë Tiranë. Që në krye të herës Rama e shkarkoi Veliajn në mënyrë anti-kushtetuese. Madje Gjykata Kushtetuese duhet të ngrihej në lartësinë e Kushtetutës për të thënë që vendimi i shkarkimit të tij ishte anti-kushtetues. Në këto kushte Rama s’mund të flasë për shkarkime që bën Veliaj në kundërshtim me ligjin, përsa kohë që Kushtetuesja tha fjalën e vet. Të thuash që Veliaj është sot një anëtar i thjeshtë i PS, është një guxim i madh.

Të thuash që drejtoresha e Policisë Bashkiake e zbaton ligjin me rigorozitet, është një gënjeshtër shumë e madhe. Sepse nëse e vendos makinën, qoftë edhe në mënyrë të kundraligjshme me kodin rrugor, vendosin një masë administrative direkt, ndërkohë që nëse zapton një hapësirë publike, Policia Bashkiake bën një sy qorr e një vesh shurdh. Për mua ajo duhej shkarkuar me kohë”, tha mes të tjerash Hoxha.

Edhe avokati Rezart Kthupi tha se kryeministri Rama po përpiqet ta eliminojë politikisht Veliajn, pasi sipas tij, e sheh si pengesë për fitoren e PS-së në Bashkinë Tiranë.

Kthupi tha se Rama sot në në pikën më të dobët në raport me zgjedhjet lokale 2027 dhe sipas tij, i nevojitet mbështetja e administratës së bashkisë. Por sipas Kthupit, është Veliaj ai i cili e ka pushtetin mbi administratën bashkiake dhe pikërisht kjo sipas tij është ‘molla e sherrit’ me Ramën.

“Beteja për Tiranën do të jetë beteja vendimtare në raport me zgjedhjet e 9 majit. Humbja e Tiranës do e minonte në mënyrë thelbësore pushtetin e Ramës në raport me vijimësinë e mundshme. Duke pasur parasysh edhe sondazhet, Rama sot është në pikën më të dobët në raport me zgjedhjet në Tiranë. Ai përpiqet që të eliminojë atë që e shikon si një rrezik potencial apo një gurë që e pengon në rrugën e PS për zgjedhjet e Tiranës. Kështu që në këtë pikë po e sulmon Veliajn.

Në rastin konkret ajo përplasja mes Ramës dhe Veliajt është kthyer në këtë mollë sherri. Veliaj po e drejton personalisht Bashkinë Tiranë. Nëse deri në muajin shtator e kishte deleguar firmën, tani jemi në pikën që bashkinë e administron vetë. Kushdo që do jetë kandidat për Tiranën, do marrë me vete edhe kostot e Ramës. Mos-pasja e bashkisë është molla e sherrit. Ramës nuk i intereson Veliaj. Një administratë e tillë që nuk vihet në funksion të fushatës, e kupton pastaj çfarë bëhet”, tha mes të tjerash Kthupi.