Të dhënat e reja nga një arkiv dokumentesh të hakuara tregojnë se të paktën 470 mijë persona në anën ruse kanë humbur jetën si pasojë e luftës së presidentit Vladimir Putin kundër Ukrainës, një shifër më e lartë se ajo e raportuar më parë.
Informacioni vjen nga një grup shtesë regjistrimesh vdekjesh, të dërguara nga zyrat e gjendjes civile të Rusisë te Rosstat, agjencia federale e statistikave, gjatë periudhës nga qershori 2023 deri në fund të shtatorit 2026, shkruan Bloomberg.
Këto të dhëna i shtojnë rreth 24 mijë persona një numërimi të mëparshëm prej afro 400 mijë viktimash të lidhura me luftën, i cili ishte nxjerrë nga më shumë se 11 milionë regjistrime vdekjesh të ruajtura nga Rosstat.
Numri i ri përfshin gjithashtu më shumë se 25 mijë vdekje të tjera të atribuuara veprimeve ushtarake ose plagëve të luftës, bazuar në një kombinim vendimesh gjyqësore, njoftimesh vdekjesh dhe certifikatash mjekësore, si dhe më shumë se 12 mijë ushtarë që humbën jetën në zonën e luftës ose nga plagët e marra në luftime.
Edhe 22 mijë persona të tjerë, të cilët humbën jetën në zonën e konfliktit, u shpallën të vdekur me vendim gjykate, duke e çuar numrin e përgjithshëm në rreth 470 mijë.

Regjistrimet tregojnë gjithashtu se më shumë se 30 mijë persona janë shpallur të vdekur nga gjykatat që prej fillimit të pushtimit, megjithëse pa u përcaktuar vendi i vdekjes. Këto vdekje janë përjashtuar nga numri i përgjithshëm, pasi as vendi dhe as shkaku i vdekjes nuk tregojnë drejtpërdrejt lidhjen me luftën në vazhdim. Megjithatë, ka gjasa që shumë prej këtyre viktimave të kenë lidhje me luftën, duke qenë se në vitin 2021 vetëm 63 persona u shpallën të vdekur nga gjykatat.
Në përgjithësi, pothuajse të gjithë të vdekurit janë burra, ndërsa personat e moshës 30-49 vjeç përbëjnë gati dy të tretat e viktimave.
Numri i vërtetë i të vdekurve është pothuajse me siguri më i lartë se sa tregojnë të dhënat e Rosstat-it, për shkak të vonesave në regjistrimin e viktimave dhe vështirësive të tjera, si nxjerrja e trupave nga fushëbeteja dhe evidentimi i personave të zhdukur.
Rosstat nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Bloomberg identifikoi viktimat e luftës bazuar në të dhënat e përfshira në regjistrat zyrtarë, duke përfshirë kodet e shkaqeve të vdekjes, shpalljet gjyqësore, profesionet dhe fusha të ndryshme teksti të lirë. Regjistrimet e anuluara dhe të dyfishuara janë hequr, ashtu si edhe ato që duket se u përkasin civilëve në rajonet e vijës së frontit. Regjistri i ri mbivendoset me grupin e parë të të dhënave, me përjashtim të muajit shtator 2026.
Të gjitha të dhënat u siguruan nga grupi bjellorus në mbështetje të opozitës, Cyber Partisans, dhe operacioni ukrainas i hakerave Silent Crow. Më pas, ato iu shpërndanë Bloomberg News dhe një grupi të vogël mediash të tjera.

Informacioni ofron një pasqyrë unike të humbjeve të Rusisë që prej pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Presidenti Vladimir Putin ka bërë përpjekje të mëdha për të shmangur pranimin e përmasave të viktimave ruse, ndërsa Rosstat ka reduktuar gradualisht publikimin e të dhënave, përfshirë edhe statistikat e vdekshmërisë.
Vitin e kaluar, agjencia e statistikave ndaloi gjithashtu publikimin e të dhënave mujore për popullsinë. Instituti për Studimin e Luftës, me bazë në SHBA, tha se kjo ka të ngjarë të bëhej për të “fshehur problemet demografike në vazhdim të Rusisë”, përfshirë humbjet gjithnjë e më të mëdha të ushtrisë në Ukrainë.
Regjistrimet e vitit 2026 tregojnë se jo vetëm që mijëra vdekje të lidhura me luftën gjatë vitit 2025 vazhdojnë të regjistrohen çdo muaj, por po regjistrohen ende edhe disa vdekje të vitit 2024. Ndërsa më shumë se gjysma e vdekjeve nga lufta të regjistruara në vitin 2026 i përkisnin vitit 2025, më pak se 4 për qind e vdekjeve nga shkaqe të tjera kishin një vonesë të ngjashme në regjistrim.
Raportime të veçanta sugjerojnë se humbjet e Rusisë janë përkeqësuar edhe më shumë këtë vit.
Shifrat e reja përfshijnë gjithashtu afro 14 mijë persona që ose ishin shtetas të huaj, ose kishin lindur jashtë Rusisë, dhe vdekjet e të cilëve lidheshin me luftën e Moskës kundër Ukrainës.

Më 1 nëntor, Silent Crow dhe Cyber Partisans deklaruan se kishin depërtuar në infrastrukturën e brendshme të Rosstat-it, duke siguruar akses në rreth 25 mijë kompjuterë dhe duke nxjerrë afërsisht 23 terabajt të dhëna, përfshirë informacione mbi humbjet ushtarake ruse.
Rosstat deklaroi pak më vonë se kishte zbuluar sulme kibernetike të synuara ndaj sistemeve të tij midis 29 tetorit dhe 1 nëntorit, por se nuk kishte gjetur prova që bazat e të dhënave të ishin komprometuar ose që informacioni konfidencial të ishte nxjerrë jashtë. Në atë kohë, agjencia tha se po rikthente sistemet pasi një sulm kishte nxjerrë jashtë funksionit disa pjesë të infrastrukturës së saj.
Megjithatë, deri më 23 nëntor, agjencia e statistikave vazhdonte të kishte vështirësi në publikimin e disa statistikave ekonomike dhe të të dhënave bazë mbi të cilat ato mbështeteshin. Një sërë publikimesh të tjera ishin vonuar më parë, pasi të dhënat nuk mund të mblidheshin në kohë për shkak të ndërprerjes së funksionimit të faqes së internetit.