Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ka deklaruar se inspektorët tatimorë janë përballur me kërcënime verbale nga bashkëshorti i deputetes Elisa Spiropali, gjatë kontrolleve të ushtruara në disa qytete të vendit.
I ftuar në emisionin “Real Story”, Binaj tha se rastet janë regjistruar në Tiranë, Shkodër dhe Fier, ndërsa bëri të ditur se një prej inspektorëve ka depozituar edhe një denoncim në muajin korrik, pas marrjes së mesazheve kërcënuese.
“Kërcënimet kanë qenë nga bashkëshorti i Spiropalit ndaj inspektorëve. Kanë qenë në disa qytete, në Shkodër, në Tiranë, por edhe në Fier. Kërcënimet kanë qenë verbale ndaj jetës së inspektorëve të përfshirë. Në korrik, një nga inspektorët ka bërë edhe një denoncim për kërcënim përmes mesazheve të shkruara nga bashkëshorti i Spiropalit”, deklaroi Binaj.
Ai sqaroi se nga vetë Elisa Spiropali nuk ka pasur kërcënime, ndërsa tha se edhe ndaj tij është ushtruar presion në mënyrë indirekte, përmes mesazheve që u janë përcjellë inspektorëve.
“Nëse ju do të ekzekutoni detyrat tuaja funksionale, kontrollin, unë do të merrem me ju gjithë jetën”, ishte mesazhi që, sipas Binajt, u është drejtuar inspektorëve.
Kreu i Tatimeve theksoi se kontrollet janë kryer në bazë të strategjisë së institucionit dhe mohoi që administrata tatimore të jetë ndikuar nga presione apo influenca të jashtme.
“Aksionet tona janë bazuar në strategji, nuk ndikohemi nga influenca të jashtme. Këto kanë qenë kontrolle standarde, pretendimet e bëra nga deputetja janë anormale. Sa herë që ne dalim për kontroll, gjithmonë ka pretendime. Ky është funksioni i administratës tatimore”, u shpreh Binaj.
Ai theksoi se kërcënimet ndaj inspektorëve nuk kanë ardhur nga deputetja Spiropali, por nga bashkëshorti i saj, sipas deklarimeve të bëra prej tij në emision.

