Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka komentuar zhvillimet e fundit politike brenda Partisë Socialiste, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama po përballet me tensione të brendshme dhe përplasje mes grupeve të ndryshme të mazhorancës. Gjatë një interviste në emisionin “Prime News24”, Gjoni u shpreh se lëvizjet e fundit në PS, përfshirë paralajmërimet për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, janë më shumë një formë presioni politik sesa vendime konkrete.
“Rama nuk është i qetë. Kjo a ka ardhur prej mënyrës si po zien kazani në PS? Deri diku po, por nuk janë vetëm këto shkaqet”, deklaroi Gjoni. Sipas deputetit demokrat, kryeministri po përdor presionin për të mbajtur nën kontroll figurat e mazhorancës, ndërsa ngriti edhe pretendime për shkelje ligjore dhe kushtetuese në raport me çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
“Fakti që Rama shkon përtej asaj që është ligjore, përtej asaj që është normale dhe shkon në disa represione dhe presione që çojnë në shkelje të Kushtetutës dhe të të drejtave të njeriut në raport me Erion Veliajn, që është në paraburgim, por nga krahu tjetër shoh një presion mbi anëtarët e PS-së, por nuk ka vendimmarrje”, u shpreh ai.
Spiropali dhe Ndreca, paralajmërime pa vendime konkrete
Duke iu referuar situatës së Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, Gjoni argumentoi se paralajmërimet për përjashtimin e tyre nuk janë shoqëruar me hapa konkretë. Ai solli si shembull praninë e Spiropalit në radhët e socialistëve gjatë votimit të buxhetit në Kuvend. “Sepse u deklarua që do të ketë përjashtim të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës për të dhënë një mësim, por nuk kishte vendimmarrje. Kjo duket në Parlament. Nëse Spiropali do të ishte përjashtuar, do të ishte vendosur te Marjana Koçeku, jo të ishte në rresht për të votuar buxhetin që u votua para disa ditësh”, tha Gjoni.
Për deputetin demokrat, ky është një tregues se brenda Partisë Socialiste po përdoren paralajmërimet për të disiplinuar figurat që shfaqin qëndrime të ndryshme nga linja drejtuese. “Fakti që ajo është në grupin e PS-së tregon se ky është thjesht një presion”, theksoi ai. Gjoni komentoi edhe pozicionimin politik të Spiropalit, duke vlerësuar se ajo ndodhet në një situatë të vështirë për shkak të karrierës së gjatë brenda Partisë Socialiste.
“Zonja Spiropali nuk është se kishte një qëndrim refraktar në raport me Edi Ramën. Zonja Spiropali është në një dyshim. Fakti që është rritur në PS dhe ka shkuar në karrierë deri kryetare e Kuvendit, nuk kërkon ta çojë në zero këtë karrierë”, deklaroi ai. Në vijim, deputeti i opozitës hodhi akuza edhe për ndikim politik mbi proceset hetimore, duke pretenduar se pas zhvillimeve të fundit qëndron kryeministri.
“Ajo e kupton se SPAK-u dhe hetimet penale janë goditje me regji, dhe regjia vjen nga Edi Rama”, u shpreh Gjoni. Në përfundim të intervistës, Gjoni e përshkroi situatën në mazhorancë si një përplasje për pushtet mes grupeve që më parë kanë bashkëpunuar ngushtë me njëri-tjetrin. “Sot aty ka filluar lufta e klaneve, pavarësisht se njëri është kumbari i tjetrit, tjetri i ka mbajtur fëmijët tjetrit. Kanë shkuar në luftë sepse pushteti politik po humbet edhe dinjitetin njerëzor”, deklaroi deputeti demokrat. Ai e mbylli qëndrimin e tij duke ia atribuar kryeministrit përgjegjësinë politike për tensionet brenda socialistëve.
